Ministrat mbyllin me sukses takimet e para në Hollandë: Statusi do të na inkurajonte
Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha mbyll me sukses dy takimet e para të planifikuara në vizitën e punës në Hollandë. Përfaqësuesit e shtetit hollandez, inkurajuan Shqipërinë në vazhdimin e reformave dhe vlerësuan pozitivisht përpjekjet që janë bërë deri tani në kuadër të vazhdimësisë së procesit të integrimit.Në mesditë Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha takoi në Hagë, së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, Këshilltaren e Kryeministrit Mark Rutte, znj. Lesleyd’Huy. Gjatë takimit, Gjosha falenderoi Këshilltarën e Kryeministrit, për mundësinë për t’i komunikuar qeverisë hollandeze progresin konkret që ka bërë Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit, si dhe theksoi zotimin e qeverisë shqiptare për të intensifikuar përpjekjet në këtë drejtim.“ Ne po punojmë si skuadër për të përmbushur objektivin tonë kombëtar: Integrimin e Shqipërisë në BE. Perspektiva Evropiane e Shqipërisë është e qartë dhe ne jemi të angazhuar maksimalisht për ta bërë këtë prespektivë të prekshme për shqiptarët”, tha Ministrja Gjosha.Pasi renditi vlerësimet që Komisioni Evropian ka bërë për Shqipërinë në progres raportin e 16 tetorit, ministrja theksoi se qeveria shqiptare është plotësisht e vetëdijshme se sfidat në të ardhmen janë shumë më të mëdha, në përmbushjen e 5 prioriteteve deri në hapin tjetër atë të hapjes së negociatave.Ministrja renditi masat konkrete që janë ndërmarrë nga qeveria, veçanërisht kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimin e të drejtave të njeriut, dialogun politik.Nga ana e saj, Lesleyd’Huy pasi u njoh me planin konkret të masave dhe vizionin e qeverisë për të përmbushur reformat, theksoi se është me mjaft rëndësi për Shqipërinë të bëjë të ditur dhe të zbatojë reformat që po ndërmer të cilat do t’i shërbejnë zhvillimit të vendit.Në vijim të vizitës, Ministrja re Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe atë të Punëve të Brendshme Sajmir Tahiri, zhvilluan një takim në senat me përfaqësues të Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Çështje Europiane. Ata u pritën nga Tineke Strik, Kryetare e Komisionit për Çështje Europiane , Z. F.E. van Kappen, Kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme si dhe senatorë nga të dy komisionet.Ministrja e Integrimit theksoi se statusi i vendit kandidat është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, por thelbësore mbeten reformat të cilat po ndërmerren dhe do të vijojnë në radhë të parë si detyrim ndaj qytetarëve, pjesa më e madhe e të cilëve është pro pranimit të Shqipërisë në Familjen e Madhe Evropiane.“Ne shpresojmë që Shqipëria të gjykohet objektivisht përmes asaj që ne kemi arritur deri tani. Dhënia e statusit kandidat do të inkurajonte Shqipërinë për të çuar përpara reformat, ashtu sikurse do të ishte sinjal mjaft pozitiv për opinionin publik shqiptar, pjesa më e madhe e të cilëve e ndjen veten pjesë së familjes Evropiane. Pritshmëritë e tyre janë të larta për të besuar akoma dhe më shumë tek Bashkimi Evropian, si prespektivë e së ardhmes. Dhënia e statusit do të ndikonte pozitivisht tek qeveria e re për përmbushjen e detyrave dhe reformave që kërkon vendi. Pavarësisht vendimit ne do të vazhdojmë me të gjitha reformat që kemi nisur”, tha Ministrja GjoshaMinistrja Gjosha shprehu mirënjohjen e saj dhe të qeverisë për të gjithë ata persona e institucione që kanë mbështetur Shqipërinë në procesin e integrimit Evropian. Një falenderim të veçantë ajo bëri në adresë të Parlamentit Evropian, i cili miratoi rezolutën për Shqipërinë javën e kaluar.Ministrat Bushati, e Tahiri gjithashtu u ndalën në rëndësinë që ka dhënia e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në mbarëvajtjen e reformave. Ata theksuan se do të respektohet vendimi i vendeve anëtare, e pavarësisht atij, qeveria do të vijojë me reformat.Ministri Tahiri, raportoi shifrat dhe aksionet e detajuara që dëshmojnë qartë se Shqipëria e ka marrë më seriozisht se kurrë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.Ministri Bushati theksoi se qeveria shqiptare ka një axhendë ambicioze për sa i takon reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe reformat nuk do të ndalen pavarësisht vendimit për statusin.Senatorët u interesuan për masat konkrete kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe respektimin e të drejtave të njëriut. Ata kërkuan informacion në lidhje me pritshmëritë që ka Shqipëria për marrjen e statusit, si dhe për nivelin e mbështetjes nga publiku shqiptar.“Rreth 85% e shqiptarëve janë pro integrimit në Bashkimin Evropian dhe kjo është një tjetër arsye pse marrja e statusit do të ishte një sinjal mjaft pozitiv mbi të gjitha për ta”, tha ministrja Gjosha.Tineke Strik, Kryetare e Komisionit për Çështje Europiane i uroi sukses qeverisë shqiptare në vazhdimin e reformave dhe mbarëvajtjen e procesit të integrimit, duke theksuar se informacioni i shkëmbyer gjatë takimit ishte me mjaft rëndësi për tu njohur me përpjekjet e Shqipërisë.