Rama paralajmëron ndryshim të taksimit: Ulje taksash për 95% të shqiptarëve
Nga mbledhja e Këshillit Ekonomik Kombëtar, Kryeministri Edi Rama i ka vënë "vulën" debatit për sistemin e taksimit duke paralajmëruar rikthimin e taksës progresive, e cila pritet të jetë pjesë e paketës së re fiskale që do prezantohet brenda pak ditësh.“Për ti sjellë në rregull librat e llogarive na duhet të rishikojmë sistemin tonë të taksimit. Duam një sistem taksimi të ndershëm dhe jemi të vetëdijshëm se sistemi ynë i taksimit duhet të bazohet në parimin e solidaritetit dhe të mos pengojë sipërmarrjen për tu rritur dhe as ekonominë për tu zhvilluar me prodhim dhe punësim.Qysh në krye të herës kemi qenë shumë të qartë me partnerët tanë se do ti qëndrojmë deri në fund parimit tonë themelor se kush fiton më pak do paguajë më pak dhe kush fiton më shumë do të paguajë më shumë, do ketë ulje taksash për 95% të njerëzve. Do kërkojmë më shumë nga kompanitë, taksa e sheshtë për ne nuk përmbush as qëllimin për të cilin është vendosur dhe as qëllimin tonë për një sistem taksimi të ndershëm në kushtet kur duhet të përballemi me një mal me borxhe që duhet ta heqim nga rruga jonë dhe në kushtet kur duhet të konsolidojmë sistemin tonë të taksimit të ndershëm. Taksa 10% ka qenë një fasadë pas të cilës shumica e kompanive janë detyruar të paguajnë shumë më shumë qoftë për llogari të korrupsionit ashtu dhe paaftësisë së qeverisjes. Ajo që e zhvillon sipërmarrjen nuk është një taksë shumë e ulët në një mjedis si yni pa asnjë siguri juridike dhe garanci që mbron sipërmarrjen nga tentakulat e korrupsionit dhe abuzimit” tha Rama.Në më pak se 100 ditë qeverisje, kryeministri Rama deklaron se qeveria e tij është përballur me një realitet shumë më të hidhur të financave, por garantoi se nuk do tu ikë përgjegjësive dhe mbetet e angazhuar për të zgjidhur problemet e trashëguara.“Para më pak se 100 ditësh ne morëm përgjegjësinë për rimëkëmben e ekonomisë dhe financave të vendit. E dinim se rruga e rimëkëmbjes do të ishte e vështirë, por fakti është se aktualisht është më e vështirë nga çfarë dukej.Të dhënat janë më shqetësuese sesa ato që dispononim kur ishim në opozitë. Kursi dhe shpenzimet nga qeveria e kaluar kanë qenë të papërgjegjshme, shpenzimet butaforike të bazuar mbi borxhe që rëndojnë mbi shqiptarët. Qeveria e re u gjend përballë një defiçiti shumë të lartë, fatura të papaguara.Shtetëzim brutal në formën e refuzimit për të rimbursuar TVSH për sipërmarrjet , për të paguar detyrimet për punën e krye. E gjithë kjo makineri e punës ngeci, u bllokua në një pjesë të saj dhe të tërë këto kompani hynë në telashe. Edhe qeveria u gjend qysh në fillim para pasigurisë së plotë finaciare dhe u detyrua të marrë borxh. Kjo është rruga që dëmton njerëzit, punët. Kjo nuk është rruga jonë, rruga jonë është ajo e përgjegjësisë për fatet e njerëzve, ekuilibrat ekonomikë dhe rendin ligjor ekonomik. Qeveria nuk sundon as mbi njerëzit dhe as ekonominë por punon me ta për zhvillimin. Ne nuk do tu ikim përgjegjësive tona. Jam këtu për t’ju thënë se kjo qeveri është këtu për të zgjidhur problemet e trashëguara dhe për të ndërtuar hap pas hapi një rrugë arritjesh për shqiptarët. Nuk jemi këtu për të hedhur poshtë projektet e nisura, do ti mbarojmë projektet që kemi trashëguar dhe do vazhdojmë me financimin e projekteve të tjera që do bëjnë të mundur mishërimin e aspiratave të njerëzve për një Shqipëri me edukim më të mirë, shërbime më të mira, turizëm , ekonomi, prodhim dhe mbi të gjitha me punësim” u shpreh Rama.Teksa i paraqiti biznesit programin ekonomik dhe paketën e re fiskale, përmes të cilës qeveria synon të rimëkëmbë ekonominë dhe të vërë nën kontroll financat publike të vendit, Rama tha se drafti është dakortësuar edhe me partnerët ndërkombëtarë.“Për ti bërë të gjitha këto në radhë të parë duhet të pastrojmë llogaritë dhe të vendosim rregull në librin e rregullit të qeverisë. Po pregatitemi të adoptojmë një program që do vendosë një themel të fortë që do të bëjë të mundur që vendi të rritet ekonomikisht. Po diskutojmë intensivisht me FMN dhe BB por dhe më gjerë për të marrë mbështetjen që na duhet që kapërcimi i këtij momenti shumë të vështirë të bëhet më i lehtë. Kemi rënë dakord për një ulje graduale të defiçitit në mënyrë që të lejojë dhe rritje të ekonomisë sonë. Do jetë një projekt që do shumëfishojë projektet tona për mbledhjen e taksave, luftën ndaj korrupsionit dhe uljen e abuzimeve. Edhe në këtë pak kohë kemi treguar se ne mund të rritim të ardhurat në mënyrë domethënëse” theksoi ai.Kreu i qeverisë përsëriti edhe një tjetër premtim të dhënë gjatë fushatës elektorale, kur tha se do të hiqet taksa e biznesit të vogël. Po ashtu, shtoi ai, do të rrisim në mënyrë të arsyeshme tatimin- fitimin për kompanitë, por do të ulim edhe tatimin- fitimin për biznesin e vogël.