“Oscar-i, Macja Speciale”

Për një mjek me pasion, leximi i një artikulli shkencor përmban në vetvete një eksperiencë kulturore emocionale të ngjashme me leximin e një libri të bukur, me soditjen e një pikture klasike, me dëgjimin në një të shtunë mbrëma të një muzike të këndshme apo, pse jo, me emocionet drithëruese të një ndeshjeje të ligës së kampioneve në futboll. Pikërisht në panteonin e këtyre artikujve qëndron revista e famshme mjekësore “New England Journal of Medicine”, krenaria e mjekësisë botërore, e cila para pak muajsh mbushi 100 vjet. Qindra e mijëra artikuj të saj kanë ndriçuar dhe ndriçojnë rrugën e shkencës mjekësore. Mijëra botues në të gjithë botën mezi presin daljen e revistës, shoqëruar me ëndrrën se dikur do të mund të botojnë atje.Por, a e dini se kush është artikulli i saj më i lexuar i 5 viteve të fundit? Natyrshëm në këtë shekull, të konsideruar si shekulli i gjenetikës, mendja do të më shkonte te ndonjë zbulim gjenetik, te befasia e ndonjë organi të krijuar në laborator ose pse jo, deri dhe krijimi i një njeriu në laborator. Asnjëra nga këto, për më tepër një artikull jo vetëm pa përmbajtje shkencore, por që për më tepër nxit fantazinë deri në caqe të pashpjegueshme.“A Day in the Life of Oscar the Cat”(“Një ditë nga jeta e maces Oscar”)David M. Dosa, New England J Med, Julay 26, 2007Historia e një maceje, një maceje vërtet speciale, “Oscar the Cat” (Macja Oscar), që ditën e kalonte në katin e tretë të një pavijoni në spitalin “Rhode Island” në Providence, ku shtroheshin të sëmurët me alzheimer. Dembele tipike si çdo mace, shkonte e vinte nëpër korridore, dremiste ku të gjente ndonjë rreze dielli që depërtonte nëpërmjet dritareve të mëdha, shtrihej në karrigen e ndonjë infermiereje dhe kur gjente ndonjë derë hapur, hynte e dilte indiferente e së fundi përfundonte në këndin e saj për të ngrënë e për të pirë. Një ditë hyri në dhomën e Anxhelinës, u shtri në shtratin e saj dhe nuk lëvizi më. Anxhelina ishte në koma prej disa ditësh dhe gjendja e saj sa vinte dhe po keqësohej. Në këto kushte u lajmëruan familjarët dhe pas pak dhoma e Anxhelinës gëlonte nga nipat e mbesat. Oscar qëndronte në të njëjtin vend pa lëvizur. “Ndoshta do të shoqërojë gjyshen në parajsë”, pëshpëriti Keiti, mbesa më e vogël e Anxhelinës. Pas pak Anxhelina mbylli sytë përgjithmonë. Në atë moment Oscar u ngrit dhe iku drejt e në koshin e saj ku flinte. “Ka mbaruar punën e saj dhe siç duket sonte nuk do të vdesë njeri tjetër, bile dhe e sëmura rëndë e dhomës 20, që është në gjendje të rëndë”, vërejti me të qeshur infermierja e turnit. Por për çudinë e të gjithëve, kjo gjë u përsërit pas pak ditësh me një të sëmurë tjetër. Me kohë Oscar mësoi të parashikonte kush do të vdiste shpejt, dhe këtë e beri rreth 50 herë (deri në vitin 2010) pa gabuar kurrë, duke i dhënë mundësi personelit mjekësor të lajmëronte familjarët si dhe të përgatiteshin për vdekjen. Në të gjitha rastet ai ishte i pranishëm në 2 orët e fundit para se i sëmuri të vdiste. Në një rast, një nga familjarët e përzuri, por Oskari qëndroi gjatë gjithë kohës pas derës, duke protestuar në mënyrën e tij.“Mirënjohje për Oscar-in – për kujdesin dhe vëmendjen ndaj atyre që kanë nevojë”, shkruhet në tabelën e vogël që personeli i ka vënë në qafë maces së tyre”. Oscar, tashmë i bindur në vlerat e tij, me hap gjithnjë e më të rënduar nga pesha apo nga mosha, ecën nëpër korridoret e spitalit duke shpërfillur shikimet e pacientëve dhe familjarëve të tyre, në kërkim të ndonjë surprize të pakëndshme.Ekspertë të sjelljeve të kafshëve e shpjegojnë gjenialitetin e Oscar-it me shqisën e fuqishme të të nuhaturit, me aftësinë për të ndier një erë apo disa substanca kimike që çlirohen nga i sëmuri rëndë para vdekjes. Në sajë të këtyre aftësive të veçanta nuhatëse, kafshët ndiejnë kur i zoti i tyre është i sëmurë, kur koha ndryshon apo dhe kur do bjerë tërmet.P.S. Të njëjtën aftësi duhet ta kenë edhe disa njerëz me nuhatje speciale. Siç duket, konform teorisë së evolucionit Darvinian, ata janë më afër kafshëve. Falë kësaj aftësie, disa intelektualë e nuhasin “vdekjen” e një partie më shpejt se arsyeja. Ata ndiejnë që larg çdo fllad, sado të lehtë, të ndryshimit të politikës dhe nxitojnë të ndryshojnë velat. Lum si ata dhe Oscar-i./Burimi: Panorama.com.al/