Pagesa e gjobave të automjeteve, policia: Në 7 ditë janë paguar 996 gjoba
Gjatë kësaj jave Policia e Shtetit ka vijuar zbatimin me rigorozitet të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm, lidhur me pagesën e gjobave për të gjitha automjetet që kalojnë kufirin, drejtuesit e të cilave kanë detyrime të pashlyera për shkak të masave administrative të dhëna nga Policia Rrugore.Që prej datës 30.11.2013, kur ka dalë urdhri e deri më sot në Pikat e Kalimit Kufitar janë paraqitur për dalje 711 mjete, drejtuesit e të cilëve kanë pasur detyrime (gjoba) të papaguara. Ndërkohë që shuma totale e gjobave ka qenë 1091 për shkak se numri i gjobave për disa mjete ka qenë më shumë se një gjobë.Në këto 7 ditë që nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij urdhri, janë paguar pranë sporteleve të bankave në Pikat e Kalimit Kufitar 996 gjoba për 659 mjete.Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit falenderojnë qytetarët për mirëkuptimin dhe inkurajojnë të gjithë drejtuesit e automjeteve të bëjnë pagesën e detyrimeve përpara se të paraqiten në Pikat e Kalimit Kufitar.