PD akuza për drejtorët e DAR: Konkursi farsë, u zgjodhën funksionarë të PS-LSI

Një ditë pas zgjedhjes së Drejtoreshës së Arsimit për Tiranën, ka reaguar edhe Partia Demokratike. Në një dalje për mediat, zëdhësja e selisë blu, tha se kryeministri Rama me emërimin e Mimoza Kuqit në krye të arsimit për Tiranën, mbylli përfundimisht farsën e konkurseve në vend.“Qeveria e ka mbyllur farsën e konkurseve për drejtuesit e arsimit në rrethe , duke vënë dje në skenë aktin e fundit të kontrollit partiak mbi shkollat dhe gjimnazet e Shqipërisë. Mimoza Kuqi që u caktua dje Drejtoresha e Arsimit për Tiranën është një militante e njohur e PS. Çdo kush mban mend angazhimine saj në të gjitha zgjedhjet e të majtëve, por veçanërisht në këto të fundit,ku zonja Kuqi ishte aktore kryesore në spotin televiziv të PS, ku bënte thirrje të votonin numrin 29”tha Laura Vorpsi.Sipas Vorpsit me emërimin e fundit të DAR, Rama nxori në pah gënjeshtrat e përsëritura për mbajtjen e arsimit larg politikës. Për PD, kjo është hipokrizia e Edi Ramës me standardet dhe revanshi i tij në shkollat publike.“Edhe proçesi i zhvilluar në rrethe, por veçanërisht konkursi i djeshëm për Tiranën nxori në pah gënjeshtrat e përsëritura të Kryeministrit për mbajtjen e arsimit larg politikës. Kudo janë caktuar në krye të DAR funksionarët më të lartë të PS dhe LSI. Këta drejtues partiakë të arsimit në vend kanë filluar menjëherë nga puna, duke bërë shkarkime masive të drejtorëve të shkollave dhe mësuesve. Në Berat e fitoi konkursin për DAR kryetari i degës së PS, në Vlorë kryetarja e grave të PS, në Gramsh kryetarja e PS së rrethit, në Gjirokastër udhëheqësja e fushatës së PS, Në Fier sekretari i deputetit socialist, në Dibër nënkryetari i PS, në Elbasan gruaja e një drejtuesi të lartë të PS dhe kulmon me Tiranën ku emërohet në krye të arsimit zonja e spotit të fushatës së PS. Kjo është hipokrizia e Edi Ramës me standardet, ky është koncepti i Edi Ramës për shkatërrimin e arsimit, ky është revanshi i Edi Ramës në shkollat tona publike” përfundoi zëdhënësja e PD.