Moore takon Nishanin: Politika të evitojë konfuzionin për statusin
Politika shqiptare duhet të evitojë konfuzionin në dhënien e mesazheve për statusin e vendit kandidat dhe integrimin në Bruksel. Kështu është shprehur Drejtori për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore gjatë takimit me kreun e shtetit Bujar Nishani.Zyrtari i lartë amerikan është shprehur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të kënaqura me arritjet, stabilitetin e brendshëm dhe rolin e Shqipërisë në rajon.
Ai nënvizoi se integrimi evropian është interes i Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe shtoi se nga Brukseli, duke shtuar pavarësisht arritjeve të deritanishme, duan të shohin më shumë përparim në konsolidimin e shtetit ligjor.Ndërsa, Presidenti Nishani, pasi shprehu mirënjohjen e thellë të Shqipërisë ndaj Shteteve të Bashkuara për gjithçka ata kanë bërë në mbështetjen e vendit tonë dhe kombit shqiptar gjatë shekullit të fundit, rikonfirmoi vullnetin dhe vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar me reformat dhe përballjen e sfidave që lidhen me konsolidimin e demokracisë, shtetit ligjor, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe zhvillimin ekonomik.Më tej, Presidenti e siguroi bashkëbiseduesin se Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributin e saj për paqen e stabilitetin e qëndrueshëm dhe bashkëpunimin rajonal, duke vënë në dukje se vendi ynë do të jetë përkrah miqve dhe partnerëve amerikanë në përballjen e sfidave kudo në botë.