Statusi, Berisha, Moore: Veprimet anti-shtet të qeverisë kanë krijuar pasiguri në BE

Në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Tiranë, Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, zhvilloi paraditen e së shtunës një takim me ish-kryeministrin e vendit Sali Berisha. Në ndryshim nga takimet e tjera, zoti Moore shoqërohej nga zëvendës.ambasadori amerikan në Shqipëri, Henry Jardine.Zoti Berisha, pasi i uroi mirëseardhjen, i shprehu zotit Moore mirënjohjen e thellë për të gjithë ndihmën që SHBA i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe shprehu vendosmërinë e tij për të kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Në këtë takim u diskutua gjerësisht mbi zhvillimet në vend.Berisha i shprehu zotit Moore shqetësimet e tij mbi veprimet anti shtet, anti ligj dhe anti Kushtetutë të qeverisë Rama–Meta. Ai e njohu z. Moore me situatën e krijuar nga ndryshimi dhe zhbërja e Kushtetutës, e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe ligjeve të vendit thjesht me vendime qeverie, si dhe shpalljen të pavlefshme, po me vendime të qeverisë, të vendimeve të gjykatave.Ish-kryeministri Berisha në takim foli për kaosin e krijuar në ekonominë e vendit si pasojë e mungesës së programit ekonomik të qeverisë etj.“Të gjitha këto qëndrime në kundërshtim me standartet europiane, kanë rritur kundërshtitë në disa vende për të mbështetur statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, të cilin ne e meritojmë plotësisht”, u shpreh zoti Berisha.Drejtori për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, zoti Moore vlerësoi lart kontributin e zotit Berisha në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe shprehu qëndrimin e qeverisë së tij se SHBA mbeten të vendosura për ta ndihmuar Shqipërinë në konsolidimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe proçesin e integrimit evropian. Në takim u diskutua dhe mbi zhvillimet në rajon.Gjatë ditës së djeshme zyrtari i DASH pati një seri takimesh me krerët më të lartë të shtetit. Takimet e tij, Jonathan Moore i nisi me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.Njoftimi i MPJ-së thotë se mes tyre është shprehur angazhimi i përbashkët për të çuar më tej bashkëpunimin për zbatimin e projekteve dhe programeve me fokus forcimin e shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit.Ndërkohë në takimin me presidentin e Republikës Bujar Nishani, zoti Moore është shprehur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të kënaqura me arritjet, stabilitetin e brendshëm dhe rolin e Shqipërisë në rajon.Zyrtari amerikan u takua edhe me kryeministrin Edi Rama. Ndërsa në takimin me kreun e Kuvendit, Ilir Meta, njoftimi thotë se mes tyre është ndarë bindja se Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm gjatë këtij viti, duke vlerësuar njëkohësisht progres-raportin e Komisionit Evropian dhe rekomandimet pozitive të tij.Moore u takua gjithashtu me kreun e opozites Lulzim Basha. Vizita e Drejtorit për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore në Tiranë vjen vetëm pak ditë përpara se vendi të mësojë nga BE përgjigjen për statusin e vendit kandidat.