Rama akuza Berishës: Me korrupsionin cënoi imazhin e vendit
Turpërues dhe shqetësues e ka cilësuar kryeministri Edi Rama thellimin e korrupsionit në Shqipëri, që e zbriti vendin tonë në vendin e 116 në raportin e TIA. Kreu i kabinetit ia faturoi përgjegjësinë e këtij regresi, keqqeverisjes së paraardhësit të tij Sali Berisha.“Shqipëria vazhdon të vuajë pasojat e keqqeverisjes së 8 viteve të shkuara. Siç vijon të goditet në ekonomi për shkak të borxheve dhe të gropave të hapura nga të katër anët në buxhetin e saj dhe në trupin e saj, edhe në imazhin e vet ndërkombëtar, Shqipëria ka marrë sot një shuplakë për atë që është bërë në këtë vend gjatë agonisë së pushtetit të kalbur të Partisë Demokratike. Indeksi i perceptimit të publikut mbi korrupsionin në sektorin publik, në 177 vende të botës për vitin 2013, i publikuar sot nga organizata e njohur Transparency International, na radhit në vendin e 116-të së bashku me Nepalin dhe Vietnamin. Humbësit e 23 qershorit e kanë kthyer plotësisht Shqipërinë aty ku e gjetën, në vitin e largët 2005, por duke i humbur asaj 8 vite dhe duke kaluar nga korrupsioni tek kapja e shtetit. Një lajm i keq për ne, jo vetëm për renditjen gjithmonë e më të ulët që kemi patur vit pas viti, në këtë indeks të rëndësishëm, por ajo që është më e rëndësishmja, indeksi vlerësues është edhe turpërues për Shqipërinë. Në 2012-n, indeksi i perceptimit ishte shumë keq, ndërsa këtë vit është si s’ka më keq. Edhe më poshtë, kur hedh një sy në tabelën e përgjithshme të renditjes dhe bën një krahasim me të tjera shtete, shikon se, shtete që në vitet e mëparshme kanë qenë në të njëjtën renditje me ne apo nën renditjen tonë, kanë bërë hope cilësore, përfshi këtu deri Nigerinë apo fatmirësisht Kosovën.Ndërkaq, gjendja e korrupsionit paraqitet më e mirë, se sa këtu në Shqipëri, edhe në vende që janë në krizë si Egjipti, kurse për sa i përket rajonit bëhet viti i tretë që jemi të fundit. Një shtet i kapur nga të gjitha anët dhe i rrënuar për tokë, prej interesave të një grupi njerëzish, të cilët sot nuk janë më në qeveri, por i kanë lënë Qeverisë së re një mal korrupsioni dhe borxhesh që duhen pastruar nga rruga e shqiptarëve”, tha kryeministri Rama.Por qeveria e tij, tha Rama, nuk është e trembur nga ky nivel korrupsioni.“Kjo trashëgimi nuk na tremb. Ajo duhet dhe do të ndryshojë rrënjësisht. Ndryshimi ka nisur me vullnet të fortë dhe do të vazhdojë përditë. Gjendja e jashtëzakonshme që kemi trashëguar në të gjithë sektorët e jetës do të normalizohet me siguri ditë pas dite, me durim dhe me përkushtim të madh. Përkushtim që është vënë re nga qytetarët, por dhe nga miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë e që nënvizohet dita-ditës. Unë i di vështirësitë e njerëzve në nevojë, por edhe të sipërmarrësve; të të sëmurëve në spitale, por edhe të mjekëve; të të rinjve, por sigurisht edhe më të moshuarve, për të mos folur për personat me aftësi të kufizuar pastaj. I di vështirësitë e të papunëve dhe i di po ashtu njëmijë e një punët që kemi për të bërë. Të zhbësh një gjë të bërë keq, është më e vështirë se sa ta ndërtosh atë nga fillimi, por fillimi i ri i 23 qershorit nuk do të ndërpritet asnjë çast. Padrejtësia, varfëria, korrupsioni janë armiqtë më të betuar të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kjo Qeveri do të jetë armiku i tyre më i betuar, në emër të Shqipërisë dhe të shqiptarëve”deklaroi Rama.Në renditjen botërore të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2013 Shqipëria pësoi rënie me dy shkallë në renditje. Shqipëria është tashme i 116-ti ndër 177 shtete të listuara duke marrë 31 pikë, nga 33 në vitin paraardhës.