Shkatërrimi i helmeve të Assad, OPCW: SHBA janë vetëofruar, proçesi në det të hapur

Pas refuzimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të cilat u diskutuan për shkatërrimin e armëve kimike siriane, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendi që ka marrë përsipër këtë proçes shkatërrimi. Lajmi konfirmohet edhe nga Organizata për Ndalimine Armëve Kimike, e cila ka dhënë detaje të mëtejshme sesi do të realizohet ky proçes.E vetmja rrugëzgjidhje sipas tyre, është shkatërrimi i armëve në anijen luftarake amerikane MV Cape Ray, në bordin e së cilës do të instalohen 2 laboratorë të lëvizshëm në të cilët do të kryhet shkatërrimi i lëndëve të rrezikshme si gazi sarin nëpërmjet proçesit të hidrolizës që sipas ekspertëve, kërkon sasi të mëdha uji.Hidroliza do të bëjë të mundur hollimin e këtyre lëngjeve kimike në mbetje toksike. Nxjerrja e këtyre armëve kimike nga toka siriane dhe dërgimi i tyre në anijen detare do të bëhet nga forcat shtetërore siriane. Materialet e paketuara dhe kondinierët po zhvendosen nga Organizata për Ndalimin e Armëve nga Libani për në Siri dhe mendohet se në pak javë ushtria siriane do të fillojë zhvendosjen e armëve drejt portit mesdhetar.Edhe pse shkatërrimi i armëve në det mbeti mundësia e fundit për SHBA-në pas refuzimit të shumë shteteve, mundet që ky proçes të hasë në kundërshti nga vende të afërta me zonën ku do të qëndrojë anija, me pretendimin se ky proçes mund të sjellë efekte negative dhe të rrezikshme për florën dhe faunën detaare ose në ekosistemin e zonave përreth.