BE nuk dorëzohet, refuzon “veton”e Rusisë në marrëveshjen me Ukrainën

Bashkimi Europian nuk do të pranojë asnjë “veto” të Rusisë mbi lidhjet dhe bashkëpunimin me ish-bllokun e republikave sovjetike. Kështu deklaroi Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso. Duke folur në takimin e Vilniusit në Letoni, Barroso tha se epoka e sovranitetit të cunguar në Europë ka marrë fund.“Është e papranueshme për ne që një marrëveshje bilaterale mes dy vendeve, të kushtëzohet nga një lloj vetoje nga një vend i tretë. Kjo bie ndesh me të gjitha ligjet ndërkombëtare”, tha Barroso.Ndërkaq kancelarja gjermane Angela Merkel, duke iu referuar direkt Moskës në mbyllje të samitit, deklaroi se duhet “tejkaluar ai lloj mentaliteti”.Edhe presidenti francez Francois Hollande tha se Ukraina është përballur me presione serioze “më së shumti sa i përket tregëtisë me gaz”, nga ana e Moskës, në mënyrë që të mos e nënshkruante Marrëveshjen e Asocimit me Bashkimin Evropian.Samiti i BE-së me vendet e Europës Lindore, ish-republika sovjetike dështoi të dalë me një marrëveshje të përbashkët për shkak të stepjes së Ukrainës. Presidenti i saj, Viktor Janukoviç tha se nuk dëshiron të sakrifikojë tregtinë me Rusinë duke u afruar më shumë me Bashkimin Europian. Javën e kaluar, Kievi refuzoi të nënshkruajë një marrëveshje tregtie me Brukselin me arsyetimin se kjo marrëveshje nuk ofronte ndihmë financiare të mjaftueshme.Rusia pretendon se marrëveshja e BE-së me Ukrainën dëmton ekonominë e saj. Kievi është shndërruar në “sheshbetejë” diplomatike për influencë mes Moskës dhe Brukselit. Mijëra ukrainas protestuan në rrugët dhe sheshet e vendit pas vendimit për ngrirjen e marrëveshjeve me BE-në, ndërsa opozita akuzon presidentin Janukoviç se po i bindet Moskës.Ukraina ka një varësi të madhe nga gazi rus, dhe përpos kësaj shërben edhe si vend tranzit i gazit rus drejt Europës.BE kërkon të thellojë e konsolidojë më tej marrëdhëniet e saj me Ukrainën, Bjellorusinë, Armeninë, Azerbajxhanin, Gjeorgjinë dhe Moldavinë. Në kuadrin e këtyre marrëveshjeve pritet ndër të tjera thjeshtësimi i regjimit të vizave me Azerbajxhanin dhe përafrimi i marrëveshjeve të Asociim-Stabilizimit të Gjeorgjisë dhe të Moldavisë.