Udhëheqësit e BE mblidhen në Vilnius, në fokus Ukraina

Liderët e BE-së janë mbledhur në Vilnius për Samitin e Partneritetit me Lindjen, punimet e plota të së cilit do të zhvillohen gjatë ditës së nesërme.Punimet e samitit pritet të zhvillohen në një atmosferë të tensionuar, e cila pason vendimin e Ukrainës për të mos e nënshkruar Marrëveshjen e Asocimit me BE-në.Pritet që presidenti ukrainas, Viktor Yanukovych, të takohet privatisht me liderët e BE-së, para nisjes praktike të punimeve të samitit.Në Ukrainë kanë vazhduar protestat, në të cilat mijëra njerëz i kanë kërkuar presidentit Yanukovych të ndryshojë mendim dhe të nënshkruajë marrëveshjen.Kancelarja gjermane Angela Merkel, ka thënë me të mbërritur në Vilnius, se “dera për Ukrainën vazhdon të jetë e hapur”.Ministri i Jashtëm suedez Carl Bildt, ka komentuar rreth sjelljes së Rusisë në raport me aspiratat evropiane të vendeve pjesëmarrëse në këtë samit, duke deklaruar se po përsërit skenaret e vjetra."Ajo çfarë ne kemi parë kohë pas kohe nga Rusia, ka qenë përdorimi i armëve ekonomike, dhe kjo nuk është diçka e re. Rreth 25 vjet më parë, kur isha për herë të parë në Lituani, lituanezët kërkonin pavarësi, pasi në atë kohë ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik. Përgjigjia ruse në atë rast ishte një bllokade e plotë ekonomike, përfshirë gazin, tregëtinë dhe gjithçka tjetër. Ishte shumë ftohtë dhe errët asokohe. Megjithatë, ato veprime nuk e ndryshuan historinë në favor të Rusisë”, ka thënë Bildt.“Ne kemi parë që Rusia ka ndërmarrë masa të njejta edhe kundër Gjeorgjisë, madje aq shumë sa besoj që rusëve nuk iu ka mbetur asnjë armë tjetër kundër Gjeorgjisë. Kemi parë sjellje të njejtë edhe ndaj Polonisë para disa vjetësh, si dhe kundër Lituanisë. Mendoj se ne duhet ta shohim më nga afër këtë lloj sjelljeje, ngaqë ajo është në kundërshtim me normat që shtetet evropiane duhet t’i aplikojnë ndaj njëra-tjetrës”, ka përfunduar Bildt.Një draft i dokumentit final i samitit, i siguruar nga Radio Evropa e Lirë, përmban vendimin e Kievit për të mos e nënshkruar marrëveshjen, derisa në të njejtën kohë thekson “përkrahjen dhe mobilizimin e paprecedent publik në Ukrainë” në favor të përafrimit me BE-në.