Siri, qeveria dhe opozita marrin pjesë në bisedimet e paqes
Qeveria e Sirisë dhe opozita kryesore, që mbështetet nga perëndimi, kanë konfirmuar se do të marrin pjesë në bisedimet paqësore në Gjenevë, të organizuara nga Kombet e Bashkuara. Megjithatë, të dy palët kanë vazhduar t'i theksojnë pozicionet krejtësisht të kundërta, lidhur me qëllimet e bisedimeve, që pritet të fillojnë më 22 janar.Kryeministri i Sirisë, Wael al-Halqi, tha se delegacioni i qeverisë nuk do të shkojë në Gjenevë për ta dorëzuar pushtetin, por vetëm për të diskutuar për arritjen e zgjidhjes politike.Por nga ana tjetër lideri i grupit opozitar Koalicioni Kombëtar Sirian, Ahmad Jarba totë se ai e sheh Gjenevën si diçka që çon drejt formimit të qeverisë tranzitore demokratike pa Presidentin aktual, Bashar al-Assad.Shumë analistë dyshojnë se konferenca do të ketë sukses, ndërkohë që dhuna tre vjeçare ka lënë më shumë se 100 mijë të vdekur. Ka disa muaj që Kombet e Bashkuara janë duke u përpjekur për të organizuar një konferencë të paqes, por ajo është shtyrë disa herë për shkak të mosmarrëveshjeve në lidhje me përfaqësimin e grupeve dhe kushtet në të cilat ajo duhet organizuar.Ndërkohë, luftimet janë intensifikuar duke lënë më shumë se 100 mijë të vdekur dhe duke detyruar largimin e afro nëntë milionë njerëzve të tjerë nga shtëpitë e tyre.Qëllimi i konferencës do të jetë krijimi i një qeverie kalimtare me pushtet të plotë mbi ushtrinë dhe grupet e armatosura që po luftojnë kundër njëri-tjetrit.Konflikti sirian filloi në mars të vitit 2011, pasi protestat paqësore kundër sundimit autokratik të Presidentit Asad u shndërruan në luftë civile, duke kërcënuar edhe stabilitetin e fqinjëve të Sirisë.