Zgjedhjet në veri, “shtetërrethim” edhe më 1 dhjetor
Gara për balotazh në katër komunat veriore të Kosovës, pritet të përcillet nga një numër i madh i forcave të policisë vendore dhe të huaja, si dhe atyre paqeruajtëse. Lehtësuesit e procesit atje nga misioni i OSBE- së në Kosovë, thonë se presin garanci nga këta faktorë për mbarëvajtjen e procesit.Kosova më 1 dhjetor do të mësojë nëse është e aftë të jetë pjesë e së ardhmes evropiane dhe për këtë sfidë, planet e sigurisë sërish po vihen në sprovë, kur bëhet fjalë për organizimin e zgjedhjeve në katër komunat veriore.Formulim të tillë ka bërë Qeveria e Kosovës kur ka paraqitur para opinionit vlerësimet që po jep faktori ndërkombëtar se sa e rëndësishme është që procesi zgjedhor të jetë i qetë gjithandej vendit, e në veçanti në veri, ku për herë të parë Prishtina shtriu këtë proces.Policia e Kosovës si intervenuesi i parë në vendngjarje, thotë të ketë vendosur të shtojë numrat e forcave të rendit në ditën kur zhvillohet gara në balotazh e kandidatëve për kryetarët e katër komunave veriore, Zveçanit, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut.Komandanti i policisë rajonale për veri, Nenad Gjuriç, thotë se forcat e rendit kanë detyrë të qartë se siguria duhet të jetë në nivel për balotazh, prandaj edhe do të shtojë praninë e vet që mbarëvajtja e procesit të kalojë e papenguar.“Në parim prania do të jetë e njëjtë si më 17 nëntor, për dallim se tani kemi më shumë qendra të votimit. Kjo po bëhet vetëm për të siguruar gjithë procesin zgjedhor, kjo është detyra jonë kryesore”.Votimet e 3 nëntorit në këtë zonë të banuar me shumicë serbe, u ndërprenë para kohe, pas një sulmi që ndodhi në qendrën e votimit në shkollën fillorë “Shën Sava” në veri të Mitrovicës.Lehtësuesit e misionit në Kosovë të organizatës për siguri dhe bashkëpunim në Evropë-OSBE, si rrjedhojë e gjendjes së krijuar evakuoi personelin nga atje.Dy javë më vonë, serbët e veriut të Mitrovicës u ftuan të rivotojnë në tri qendrat më të mëdha të votimit atje, dhe mbi 5,200 persona e shfrytëzuan të drejtën pa u kërcënuar nga askush.Zëdhënësi i OSBE-së, Nikolla Gaon, thotë se edhe këtë herë shumëçka në ditën e zgjedhjeve, varet nga policia.“Ne jemi të gatshëm për të zbatuar rolin tonë si lehtësues”, thotë ai, duke shtuar: “ne kemi falënderuar Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe KFOR-in për një punën e shkëlqyer më 17 nëntor. Ne kemi besim të plotë në këta ofrues të sigurisë, dhe ne do të vazhdojmë të llogarisim në ta që të garantojnë sigurinë e personelit tonë dhe të procesit, po ashtu, më 1 dhjetor”, thotë Gaon.Situata në veri të Mitrovicës vazhdon të jetë e tensionuar prej muajsh dhe serbët atje janë të ndarë në dy taborë, për dhe kundër mbajtjes së tyre.Kampi anti-zgjedhor, pati akuzuar forcat e rendit dhe ato paqeruajtëse për okupim të veriut të Mitrovicës, për shkak të pranisë së madhe të ushtarëve dhe policëve në rrugët e qytetit më 17 nëntor.Misioni evropian për sundimi të ligjit në Kosovë, EULEX , thotë të ketë analizuar veprimet dhe reagimet në terren pas planit operativ dhe se po bëhet gati për balotazhin.“Ne jemi duke vlerësuar mësimet e nxjerra nga 3 dhe 17 nëntori dhe do të ulemi me partnerët tanë për të diskutuar për raundin e ardhshëm. Ne presim që roli ynë rreth aranzhimeve të sigurisë, për përsëritjen e pjesshme të votimeve në Zveçan dhe raundin e dytë në pjesën veriore të Mitrovicës, të jetë i ngjashëm si më parë. Policia e Kosovës është në krye, EULEX-i do të jetë intervenuesi i dytë, ndërsa KFOR-i është intervenuesi i tretë", bën të ditur zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi.Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë të premten se mbarëvajtja e zgjedhjeve në veri të vendit, është vlerësuar lart nga perëndimi dhe se i njëjti vlerësim i duhet edhe më 1 dhjetor, sepse kjo do të dëshmojë se vendi “e ka dhënë testin evropian”.