Presheva ngrin bisedimet me Serbinë, pasi ligji i ri i heq gjykatën dhe prokurorinë

Liderët politikë shqiptarë të Luginës së Preshevës kanë marrë qëndrim unik që të ndërpresin bisedimet me Qeverinë serbe. Gjatë një takimi të përbashkët ata kanë konstatuar se politika e Beogradit zyrtar vazhdon t’i diskriminojë skajshmërish shqiptarët e Luginës.Vendim i liderëve shqiptarë vjen pasi në seancën fundit të Parlamentit serb , Kuvendi nuk ka marrë parasysh amendamentet e deputetit Riza Halimi, duke miratuar ligjin e ri për rrjetin e drejtësisë, shkruan Titulli.Më këtë ligj Presheva do të mbetet pa gjykatë dhe prokurori, pasi qeveria serbe me regjistrimin e fundit në Luginë njeh më pak shqiptarë.Sipas kryetarit të Preshevës, Ragmi Mustafa deri tek ndërprerja bisedimeve ka ardhur, pasi edhe ministria e shëndetësisë nuk ka realizuar premtimet e dhëna.Si arsye të tjera për bojkotin e bisedimeve është edhe mos kthimi i lapidarit në Preshevë , konfiskimi teksteve shkollore shqipe, mos largimi i lapidarit të paramilitarëve mbi fshatin Luçan të Bujanocit si dhe vendimi i fundit i qeverisë, i cili shkurton buxhetin e komunave shqiptare në mënyre drastike , duke u dedikuar ato mjete për komunat serbe në Kosovë.Sipas liderëve politikë shqiptarë, bisedimet me palën serbe kishin nisur me ndërmjetësimin e OSBE-së , ndërsa plani i tyre prej shtatë pikave deri më tani ka mbetur vetëm në letër, pasi asnjë premtim i Qeverisë në Beograd nuk është realizuar deri më tani.