Beogradi kërcënon serbët: votoni “Srpskan”

Zyrtarë të Qeverisë e Serbisë vazhdojnë t’u bëjnë presion serbëve të Kosovës që të votojnë për listën “Srpska”, në të kundërtën do të etiketohen si tradhtarë që punojnë kundër Serbisë. Madje sipas mediave kosovare në Graçanicë, përfaqësues të emëruar nga Qeveria e Serbisë u kanë kërkuar, nëpër shtëpi, qytetarëve që të votojnë kandidatët e “Srpskas”, që janë me Beogradin dhe jo SLS-në dhe partitë tjera që janë me Prishtinën.“Serbët në Kosovë le të mendojnë mirë se kujt do t’ia japin votën më 1 dhjetor, Listës Serbe që punon për serbët e që është e Beogradit, apo politikanëve serbë që janë në koalicion me qeverinë e Thaçit”, kështu është shprehur nga Beogradi Aleksandar Vulin, ministër për Kosovë në qeverinë serbe” bëjnë me dije mediat.I mllefosur pasi për të tretën herë i është refuzuar vizita në Kosovë, nga Qeveria e Kosovës, ai të premten, ditën kur e kishte në plan që të niste vizitën treditore në Kosovë, nga Beogradi u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që të votojnë listën “Srpska”, përkrahur dhe formuar direkt nga Beogradi.Vulin ka theksuar se qëllimisht nuk e kanë lejuar të hyjë në Kosovë, për shkak se Prishtina po kërkon që serbët të votojnë kandidatët e SLS-së, parti serbe që është në koalicion me Qeverinë e Kosovës, e jo për kandidatët e listës serbe, të cilën e përkrah Qeverie serbe.“U bëj thirrje serbëve të Kosovës që të mendojnë mirë para se të japin votën e tyre”, është shprehur Vulin para gazetarëve në Beograd.Lista serbe është pjesë e balotazhit të 1 dhjetorit në shtatë komunat me shumicë serbe, gjashtë prej tyre këndej Ibrit, dhe një në veri të Mitrovicës, ndërkohë që në tri komuna tjera në veri, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, ka arritur qysh në raundin e parë të dalë fituese.Që prej themelimit të kësaj liste, Beogradi zyrtar ka bërë presion nga më të ndryshmet ndaj serbëve në Kosovë jo vetëm në veri, por edhe në jug që të votojnë atë, qoftë brenda Kosovës gjatë vizitave të tyre, por edhe nga distanca.Ndërsa lufta më e madhe është zhvilluar më 3 nëntor, raundin e parë të zgjedhjeve, ku vetë qytetarët serbë në Kosovë kanë treguar për presionet që kanë bërë mbështetësit e kësaj liste ndaj qytetarëve.Një familje në Graçanicë ka bërë të ditur se një grup serbësh nga Beogradi i ka vizituar ata edhe nëpër shtëpi, për t’iu kërkuar votat për listën “Srpska”.“Kanë ardhur dhe janë paraqitur si përfaqësues të Qeverisë së Serbisë. Na kanë thënë se nëse votojmë SLS-në, apo të tjerët, do të mbesim edhe pa Kosovë, por edhe pa Serbi. Do të mbesim të vetëm pa kurrfarë përkrahje”, shprehet kryefamiljari i një familjeje serbe në Graçanicë, i cili u lut që mos t’i përmendet emri.Edhe vetë politikanët serbë në Kosovë kanë akuzuar Listën Serbe për presion ndaj qytetarëve serbë.