Bozdo: Drejt përfundimit pastrimi i 11 “pikave të nxehta”, së shpejti nis mbjellja e pemëve

Pastrimi i 11 "pikave të nxehta" të mbetjeve inerte në kryeqytet, është drejt përfundimit. Këtë e bëri të ditur nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo, gjatë inspektimit në rrugën "Teki Selenica", në kryeqytet."Ka më shumë se tre ditë që kemi nisur këtë aksion për pastrimin përfundimtar të kësaj fushe që ju shikoni pas meje. Janë më shumë se 150 metra kub mbetje inerte dhe mbetje të llojeve të ndryshme, të papastruara prej shumë vitesh. Me kërkesë të banorëve i jemi përgjigjur kësaj nisme, këtij muaji i cili është në emër të pastrimit të qytetit, prej traditës tonë tashëm dy vjeçare, por edhe gjelbërimit të tij"tha ai.Nënkryetari i bashkisë, Eno Bozdo, tha se në javën e ardhshme do të nisë një tjetër aksion, ai i mbjelljes së pemëve të reja."Duke filluar ndoshta nga java tjetër, meqenëse tashmë edhe moti është i duhuri ne do të fillojmë me mbjelljen e pemëve të reja. Deri në fund të vitit, do të mbillen katër herë më shumë se të gjitha pemët e mbjella nga viti 2000 e deri në vitin 2011. Do të vazhdojmë me këtë aksion për t'i shtuar gjelbërimin Tiranës, për të krijuar sa më shumë mjedise të gjelbra në mënyrë që t'i përgjigjemi kërkesave të qytetarëve të Tiranës , pritshmërisë së tyre, por edhe standardeve për një ajër të pastër dhe mjedis të shëndetshëm"theksoi Bozdo.Aksioni i pastrimit të 11 "pikave të nxehta" i ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës, vjen në kuadër të muajit të pastrimit të qytetit.