Belle Air pezullon përkohësisht fluturimet
Kompania Belle Air pezullon përkohësisht fluturimet. Lajmi është bërë I ditur nga vetë kompania e cila thekson se shkak për pezullimin e punës është situata e vështirë ekonomike.“Të ndodhur përballë një situate tejet të vështirë e kemi të pamundur për të vazhduar fluturimet. Arsyet që na çuan në këtë pezullimim janë situata e përgjithshme ekonomike, rënia e fuqisë blerëse, reçesioni në tregjet kryesore ku operojmë, si edhe bllokimi prej më se 18 ditësh i të gjitha llogarive bankare të kompanisë Belle Air” thekson kompania.Sipas, kompanisë gjatë kësaj periudhe kompania Belle Air do të rinisë një proçes ristrukturimi për t’u rikthyer së shpejti me shërbime dhe çmime më të lira në tregun shqiptar. Në këtë proçes Kompania Belle Air fton të gjithë investitorët shqiptarë e të huaj të marrin pjesë për ripërtëritjen e kësaj historie suksesi të biznesit shqiptar.Kompania thekson se do të rimbursohen të gjithë pasagjerët qe kanë prerë bileta me Belle Air. Rreth Kompanisë Belle AirBELLE AIR është një shoqëri tregtare me kapital tërësisht shqiptar, e krijuar në vijimësi të një nisme biznesi familjar prej vitit 1992, e cila, në mënyrë modeste e me përkushtim, ka ndërtuar dhe zhvilluar një kompani ajrore të suksesshme duke filluar nga viti 2005 deri më sot.BELLE AIR ka krijuar linja të rregullta ajrore ndërmjet Shqipërisë dhe destinacioneve Europiane, duke u bërë kompania më e preferuar nëpërmjet ofrimit të mundësive të udhëtimit për të gjithë grupet shoqërore e të gjitha moshat, emigrantë e turistë, të punësuar e biznesmenë, shqiptarë e të huaj si dhe rritjes së transportit ajror me standartet më të larta të Cilësisë e të Sigurisë ajrore.BELLE AIR është renditur midis 10 bizneseve më të mira Shqiptare aktiviteti i Belle Air ndikon në mënyrë direkte dhe indirekte në rritjen e PBB, duke sjellë një efekt zinxhir në aktivitetet ekonomike të lidhura me aktivitetin e Belle Air.Në një xhiro vjetore mbi 100 milion EUR, mbi 90% e shpenzimeve vjetore të kompanisë i përkasin zërave të: shpenzimeve të pagave dhe kontributeve shoqërore, shërbimeve dhe taksave aeroportuale, taksave të pasagjëreve, shpenzimeve për karburant, qerave operacionale e financiare dhe zërave të mirëmbajtjes së flotës, te cilat garantojnë sigurinë e vazhdueshme dhe përputhshmërinë me standartet e enteve rregullatore europiane dhe vendase.Mbi 70% e këtyre shërbimeve dhe pagesave kryhen brenda Shqipërisë duke patur ndikim direkt mbi të ardhurat e buxhetit të shtetit nga taksat, mbi të ardhurat e Aeroportit Nënë Tereza, mbi të ardhurat e qindra agjencive që operojnë për Belle Air si dhe mbi shumë aktivitetete dhe biznese të tjera të ndërlidhura.Belle Air ka punësuar në Shqipëri rreth 400 punonjës, ku 85% është staf shqiptar, i motivuar e cilësor e faktor kyç për zhvillimin e mëtejshëm të kompanisë. Ne investojmë vazhdimisht për trajnimin dhe kualifikimin e tyre duke synuar gjithashtu krijimin e një brezi profesionistësh në industrinë e aviacionit civil, të munguar gjatë dekadave të shkuara. Ne aplikojmë një politikë të ndershme dhe transparente punësimi dhe promovimi të stafit e cila nuk diskriminonon asnjë përkatësi etnike, fetare apo politike.