Paralajmërohen arrestime, Tahiri: Do dalin para drejtësisë përgjegjësit
E ndërsa tre prej 7 të burgosurve të grupit të burgit të Drenovës vazhdojnë të jenë në arrati, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka apeluar të arratisurit dhe familjarët të mundësojnë dorëzimin e tyre një orë e më parë. Në një konferencë për mediat sëbashku me drejtorin e Policisë së Shtetit, Artan Didi, Tahiri e ka cilesuar arratisjen e tyre te mireorganizuar dhe aspak rastesore. Per kete ai garantoi se ne nje kohe te shpejte do ketë arrestime më përgjegjës konkretë në organet ligjzbatuese. Ministri Tahiri kishte dhe nje pergjigje per akuzat e Partisë Demokratike për mosfunksionim të shtetit.“I bëj thirrje të tre të arratisurve dhe familjarëve të tyre të bëjnë të mundur dorëzimin e tyre sot, se nesër mund të jetë shumë vonë.Dëshiroj të falenderoj edhe PD-në që megjithëse në një situatë të nderë nuk priti dhe jo pak kritike se kjo nuk priti të na kujtojë që shteti është shembur. Po në fakt, faktet flasin vetë që shtetin e gjetën jo vetëm të shembur, por të shkatërruar deri në kockë dhe të inkriminuar deri në qelizë. Po gjithashtu dua ti garantoj që shteti është këtu, policia është në këmbë për të siguruar jetën, pronën dhe sigurinë publike të çdo qytetari në republikën e Shqipërisë.Policia e shtetit vijon hetimet sëbashku me prokurorinë e përgjithshme dhe ky rast shërbeu për të bërë një skaner qelizor mbi çdo strukturë që deri dje ka dështuar për t`i shërbyer ligjit, apo i ka shërbyer ligjit. Ju siguroj që nga hetimet paraprake, arratisja e djeshme është gjtihcka përveçse rastësore, është e organizuar mirë por njëkohësisht është dëshmia tragjike e përfshirjes së politikës në punët e pista të krimit, siç është dëshmi tragjike i kompromentimit kapilar i strukturës shtetërore për të garantuar zbatimin e ligjit. Shumë shpejt do të keni rezultate të tjera dhe arrestime me përgjegjës konkret në të gjitha stuktura ligjzbatuese. MB dhe qeveria janë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. Ne jemi këtu, policia është këtu, kriminelët do të jenë aty ku e kanë vendin, në burg. Dhe bashkë me ta kushdo që deri dje i ka ndihmuar të kapërcejnë linjën, qoftë edhe në këmbim të votave” tha ai.Duke e vlerësuar këtë rast të paprecedentë një sprovë për policinë si dhe bashkëveprimin e të gjithë organeve ligjzbatuese, Tahiri tha se policia arriti padyshim standarde të reja, duke e përballuar me sukses maksimal këtë situatë.“Kjo ishte një situatë serioze për policinë e shtetit, por edhe një sprovë mes policisë dhe agjensive ligjzbatuese. Dhe unë mendoj se kemi arritur një standart të bashkëpunimit që po jep frytet e para edhe në situata të tilla mjaft kritike. Por nuk mund ta fsheh krenarinë që kam për policinë e shtetit, për këtë operacion spektakolar që ka ngritur në këmbë oficerët më të mirë të policisë së shtetit të cilët edhe pse të braktisur nga qeveria e mëparshme e të lënë në mëshirë të fatit pa mjete bën të mundur në një kohë rekord kapjen e 4 të arratisurve, nga më të rrezikshmit, të gjithë të dënuar me burgim të përjetshëm.Jam krenar që pa mbushur 24 orë arritën të zbardhin gjithë zinxhirin e organizimit të kësaj arratisjeje, të evidentojnë përgjegjësitë, por edhe të arrestojnë 4 nga 7 të arratisurit. Dëshiroj të falenderoj edhe gjithë qytetarët për ndihmën e tyre, për gjithë informacionin që ndanë me ne për këtë çështje duke i siguruar se policia e shtetit është në këmbë dhe madje shumë krenare për të shërbyer sigurisë së jetës dhe pronës së tyre” tha më tej Tahiri.Ministri i Brendshëm ka bërë dhe një rezyme të gjithë ngjarjes, që nga arratisja e 7 të burgosurve deri në kapjen e katër prej tyre.“Dje rreth orës 19:10 në sallën operative të drejtorisë së qarkut të Korçës është njoftuar për arratisjen e 7 të dënuarve nga burgu i Drenovës. Me të marrë këtë informacion strukturat e policisë së Korçës, Gjirokastrës, Elbasanit, Dibrës, Beratit, Shkodrës, Vlorës dhe Tiranës kanë kaluar në gadishmëri maksimale. Gjithashtu forcat e ndërhyrjes të shpejtë dhe ato RENEA janë nisur menjëherë në vendngjarje për të vendosur perimetrin e sigurisë së jashtme. Është kontaktuar policia kufitare e shteteve fqinje si të Greqisë, Maqedonisë dhe Kosovës të cilat së bashku me policinë kufitare shqiptare kanë forcuar shërbimin për të mos lejuar largimin e të arratisurve jashtë vendit. Sëbashku me drejtorin e përgjithshëm të policisë kam kërkuar bashkëpunimin e ministrit të drejtësisë, prokurorit të përgjithshëm dhe drejtorit të Shërbimit Informativ të shtetit me të cilët ndërtuam një plan operacional për kapjen e të arratisurve. Rreth orës 20:00 dy makina me sinjalistikën e policisë së shtetit thyen postbllokun e ngritur nga policia e Pogradecit. Menjëherë forcat e policisë janë vënë në ndjekje të automjeteve dhe në hyrje të qarkut të Elbasanit u bë e mundur kapja e njërës prej makinave sëbashku me dy pasagjerë të cilët sipas hetimeve rezultojnë të jenë edhe dy organizatorët e arratisë dhe njëkohësisht edhe mbështetës së jashtëm të skenarit të arratisë.Në orën 22:00 u bë e mundur kapja e njërit prej të arratisur dhe konkretisht të shtetasit Artur Gora, i cili u ndalua në aksin Korçë-Devollë, në fshatin Dishnicë. Vetëm pak minuta më parë, nga strukturat e policisë së Elbasanit në bashkëpunim me strukturat e policisë së Korçës u bë i mundur arrestimi i tre prej të arratisurve, të gjithë të dënuar me burgim të përjetshëm dhe konkretisht të Admir Tafilit, Fran Marashit dhe Gëzim Guri. Gjithashtu policia e Tiranës ka arrestuar shtetasin Altin Lami, i cili është një nga bashkëpunëtorët e jashtëm në arratisjen e djeshme. Ky është personi i cili dyshohet se ka vendosur dhe betonuar eksplozivin në qytetin e Korçës në pothuajse të njëjtën moment kur nisën veprimet e para për arratisjen e të burgosurve, gjë që na bën të dyshojmë se është skenar i integruar dhe i mirë menduar. Në të gjithë vendin vazhdojnë kërkimet për arrestimin e 3 të arratisurve të tjerë të cilët dyshohen se janë brenda perimetrit të sigurisë së policisë, por në tjetër drejtim nga vendndodhja e të arrestuarve të para pak minutash. Jemi duke zhvilluar hetime për të zbardhur të gjithë skenarin e organizimit dhe realizimin e arratisjes dhe për të zbatuar planin operacional për arrestimin e të gjithë personave përgjegjës jo vetëm të personave të burgosur të arratisur por edhe të personave përgjegjës” sqaroi Ministri i Brendshëm në konferencën për mediat.Ndërkohë edhe Kryeministri Edi Rama në një reagim në rrjetin social facebook ka vlerësuar maksimalisht punën e policisë, duke deklaruar se kjo ngjarje dëshmoi se ka nje Polici Shteti ne krye te detyres.“Me ne fund Shqiperia ka nje Polici Shteti ne krye te detyres. Asgje sdo na ndale ne luften me krimin e me korrupsionin. Ky eshte vec fillimi” shkruan Rama.Shtatë të burgosur u arratisën mbrëmjen e së shtunës nga burgu i Drenovës së Korçës. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:30, kur të burgosurit, të gjithë të armatosur kanë qëlluar me armë dhe më pas i kanë çarmatosur policët e burgut duke u janë arratisur.Dyshohet se koka e të gjithë planit të arratisjes ka qënë Admir Tafili, i cili ka prishur telekamerat dhe ka qëlluar 6 herë me armë që të mos afroheshin policët duke bërë që të dënuarit të largoheshin nga hyrja kryesore e burgut.Aktualisht tre të burgosur kanë mbetur ende në arrati, pasi tre prej tyre janë vënë në pranga në orën 12:45 minuta të ditës së sotme, ndërsa i katërti mbrëmjen e djeshme.Të arrestuar janë: Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Toma dhe Artur Gora. Ndodhen në arrati, Gëzim Guri, Reiz Haxhiraj, Eduard Lula. Policia dyshon se, të arratisurit ishin ndarë në dy grupe, ai i shkodranëve dhe një dibrani dhe grupi i dytë është i dy të burgosurve të tjerë nga jugu.Deri tani policia ka ndaluar 6 persona si të dyshuar që kanë ndihmuar arratisjen e të burgosurve nga qelitë e burgut të sigurisë së lartë në Drenovë. Të gjithë personat e ndaluar nuk janë banues apo të kenë ndonjë lidhje gjaku në rajonin e Korçës. Në edhe pranga organizatorët, Altin Lami, Olsi Maçi dhe Albi Meçini.Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme ka vënë një shpërblim prej 5 mijë eurosh për çdo person i cili jep informacione në lidhje të burgosurit e arratisur..