Inspektoriati i punës në Lezhë, nis inspektimin në HEC-in e Mirditës pas protestës
Një ditë pas protestës të punonjësve te HEC-it në Mirditë, të cilët nuk ishin paguar prej disa muash, si dhe për kushtet e vështira me të cilat përballen, ka reaguar Inspektoriati i Punës në qarkun e Lezhës. Drejtori i këtij institucioni, Valentin Gjetja, ka bërë të ditur se menjëherë ka nisur inspektimi i firmës turke, ku është bërë likuidimi total i pagave, ndërsa lënë për të dëshiruar kushtet e punës brenda galerive. Sipas tij do të ngrihet një grup pune i cili do të inspektojë me imtësi të gjitha galeritë e kësaj firme.Drejtuesit e kamionave të cilët punojnë për ndërtimin e HEC-it në Mirdite, kishin bojkotuar punën prej dy ditësh, pasi sipas tyre nuk ishin likuiduar prej tre muajsh, ndërsa kushtet e punës ishin ekstreme duke rrezikuar jetën e tyre. Ndërkohë që nga kontaktet e marra me shoferët e kamionave të kësaj firme është bërë me dije se pas likuidimit ata janë shkarkuar nga puna në shenjë hakmarrje, pasi kanë denoncuar këtë fakt në media.