Arratisen nga burgu i Drenovës 7 të dënuar, policia arreston njërin prej tyre
Në burgun e Drenovës në Korçë të paktën 7 persona, të cilët mësohet se janë të dënuar me burgim të përjetshëm, janë arratisur mbrëmjen e sotme rreth orës 19:30 duke rrahur më parë gardianët dhe duke u marrë atyre dhe armët e zjarrit.
Informacionet e para nuk janë ende të pasakta por bëhet fjalë për një skandal të rëndë arratisje, pasi bëhet fjalë për 7 persona të dënuar për vepra të rënda kriminale dhe me dënime me mbi 25 vjet heqje lirie. Ndërkohë janë mësuar edhe emrat e 7 personave të arratisur të cilët janë:
1. Admir Bahri Tafili, vitlindja 1975, lindur e banues në Shkodër;
2. Fran Pal Marashi, vitlindja 1978, lindur e banues në Shkodër;
3. Gëzim Gjergj Guri, vitlindja 1977, lindur e banues në Vaun e Dejës, Shkodër;
4. Gëzim Ndue Toma, vitlindja 1982, lindur e Banues në Dibër;
5. Reiz Namik Haxhiraj, vitlindja 1971, lindur e banues në Selenicë të Vlorës;
6. Eduard Kujtim Lula, vitlindja 1982, lindur e banues në Përmet;
7. Artur Demir Gora, vitlindja 1969, lindur e banues në Pojan të Korçës.
Policia, duke konfirmuar lajmin e arratisjes bën me dije se ata mund të jenë pritur nga persona të tjerë jashtë burgut. Dyshohet se në rrethana ende të paqarta, ata u kanë marrë rojeve të sigurisë armët dhe më pas nëpërmjet kërcënimit kanë arritur të arratisen, të ndihmuar edhe nga errësira.
Ata kanë qëlluar disa herë me armë për të mos lejuar rojat të afroheshin e më pas janë larguar në drejtim të qytetit të Librazhdit. Policia me të marrë njoftim për ngjarjen ka marrë masa të menjëhershme, duke ngritur postoblloqe në të gjitha akset rrugore që lidhin këtë zonë me pjesën tjetër të vendit si dhe me zonën kufitare.
“Forca të shumta të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Reneas janë nisur në zonën ku mendohet se ndodhen të arratisurit, ndërsa janë informuar dhe vënë në lëvizje edhe policitë e vendeve fqinje, Greqisë dhe Maqedonisë”- njofton Ministria e Brendshme. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme është ngritur një shtab pune me drejtuesit më të lartë të institucioneve ligjzbatuese në vend, që po koordinon të gjitha veprimet e policisë dhe agjencive të tjera shtetërore, për kapjen e këtyre personave. Saimir Tahiri ka nisur nje mbledhje urgjente ne ministrine e Brendshme, ku ka thirrur kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe kreun e Drejtesise, Nasip Naco.
21:55 - Kapet njëri prej të arratisurve, Artur Gora
Policia e Shtetit ka arritur të kapë njërin prej personave të arratisur sot pasdite nga Burgu i Drenovës në Korçë. Artur Demir Gora, i dënuar në vitin 2003 me burgim të përjetshëm, për "Vrasje me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës" dhe "Armëmbajtje pa leje", është arrestuar nga policia në aksin Dishnicë - Devoll.
Artur Gora ka qenë duke udhëtuar me një automjet tip "Ford" për në drejtim të banesës së tij, teksa është ndaluar nga një postobllok i Policisë i ngritur enkas për këtë qëllim. I arratisuri ka pretenduar se automjetin e ka marrë si taksi, por Policia ka kryer edhe shoqërimit e drejtuesit të mjetit.
Policia e Shtetit vijon aksionet për gjetjen dhe kapjen e 6 personave të tjerë që janë arratisur sot pasdite nga burgu i Drenovës. Fotografitë e tyre u janë shpërndarë të gjitha shërbimeve policore në terren dhe shumë shpejt do të shpërndahen edhe për publikun e gjerë.
Admir Tafili - Admir Tafili i konsideruar si një nga personazhet më të frikshëm të krimit në 10-vjeçarin e fundit në Shkodër, është mjaft i njohur, nga koha kur atij iu vra babai, Bari Tafili në gusht të vitit 2000, menjëherë pas vrasjes së ish-drejtorit të Policisë, Arben Zylyftari.
Bari Tafili u akuzua bashkë me të birin Gencin, si vrasës të Zylyftarit në një operacion policor. Kjo ngjarje u përcoll në opinion me mjaft mister dhe me mjaft dyshime, por përfundimisht gjykata dënoi pikërisht vëllezërit Tafili për vrasjen e Zylyftarit.
Ishte ky momenti kur në opinion u lakua edhe emri i ish - shefit të Krimeve, Prel Pjetrushi, i akuzuar nga familja Tafili si shkaku i vrasjes së Bari Tafilit në Kiras të Shkodrës. Midis këtyre dy familjeve, pavarësisht nga ajo zhvillohej në dyert e drejtësisë, u vendos kodi i hakmarrjes.
Djemtë e Tafilajve për policinë e Shkodrës tashmë kishin hyre në listën e atyre njerëzve që kërkonin të merrnin gjakun e babait të tyre tek familja Pjetrushi. Askush nuk e zbuloi deri në këtë moment se cili ishte pozicioni i Prel Pjetrushit në atë ngjarje të bujshme ku mbetën të vrarë drejtori i policisë, Arben Zylyftari dhe Bari Tafili, por vrasja e vëllezërve të tij e rikthen emrin e tij në skenë.
Ndërkaq për shkak të sjelljes së mirë në qeli dhe justifikimit se shpesh ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore, 41 vjeçari Admir Tafili i burgosur ne Shënkoll të Lezhës përfitoi një tetë orë leje për të shkuar në shtëpinë e tij ku dhe bëri një arratisje spektakolare, për të cilën u ndëshkuan drejtues e shumë punonjës policie.
Admir Tafili është arrestuar në vitin 2001 dhe akuzohet t’i ketë bërë pritë për qëllime hakmarrjeje ish-shefit të Malësisë së Madhe, Pjetër Petrushi, të cilin i pandehuri e akuzonte se i kishte vrarë të atin Bahri Tafilin. Përpara arrestimit në Shqipëri kishte kryer një arratisje po të bujshme edhe në shtetin zviceran ku po vuante dënimin për çështje droge.
Pasi u arratis nga Zvicra, ai është kthyer në Shkodër duke përpiluar brenda një kohe të shkurtër planin e hakmarrjes nga ku në një pritë plagosi ish-shefin e Malësisë së Madhe. Në shkurt të 2009-ës, Tafili doli para gjykatës për të dëshmuar mbi një arratisje tjetër të bujshme atë të Burrelit ku duke prerë hekurat e burgut dy të dënuar të përjetshëm dolën nga sektori “B” i këtij burgu për t’u arrestuar orë më vonë. Në 2 tetor të 2010-s, ai arriti të ekzekutonte me sukses planin e tij për t’u arratisur nga burgu i Shënkollit.
Por në 18 Mars të vitit 2011, vetëm pak orë pas vrasjes së dyfishtë të vëllezërve Nik dhe Gjovalin Pjetrushi në Shkodër, forcat Renea prangosin në një lokal në afërsi të kinostudios në Tiranë, Admir Tafilin. Tafili, është ndaluar ndoshta në momentin e fundit para se të sigurohej në ndonjë strehë të sigurtë. Tafili, me një xhup me jaka të ngritura dhe kapele sportive që ja zinte thuajse të gjithë kokën, ndodhej në një lokal i vetëm, në pritje që bashkëpunëtorët të vinin për ta marrë dhe strehuar.
Ndërhyrja e menjëhershme e trupave Renea, nuk i ka dhënë mundësinë as ta mendojë ta përdorë pistoletën me dy krehër të mbushur që mbante me vete. Në fakt, forcat Renea i ishin qepur këmba-këmbës Tafilit. Ndërsa kryenin kontrolle në banesat e disa personave në zonën e Shkodrës ku dyshohej se strehohej, oficerë të hetimit të krimit të policisë së qytetit veri-perëndimor siguruan informacionin se Tafili ishte parë në këmbë, i vetëm në zonën Kinostudios në Tiranë, duke lëvizur në drejtim të Malit të Dajtit.
Fran Marashi - Fran Marashi, 33-vjeç nga Shkodra është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje. Ai është ekstraduar nga Italia në vitin 2006, pasi akuzohej si një ndër pjesëtarët e bandës së Urës Vajgurore, ku në trazirat e 1997-s mbetën të vrarë katër policë dhe u plagosën dy të tjerë.
Emri i Marashit është i njohur dhe për arratisjen nga burgu po i sigurisë së lartë në Burrel, në vitin 2008. Bashkë me Preng Lleshin ai arriti të dilte jashtë burgut, pasi sharruan hekurat e banjës, për t’u arrestuar rreth 30 minuta më vonë, i fshehur disa metra larg burgut. Në 21 shtator të vitit 2011, Fran Marashi ka bërë përsëri një tentativë për tu arratisur nga burgu i sigurisë së lartë të Fushë-Krujës, por u zbulua në momentet e fundit.
Gëzim Guri - Gëzim Gjergj Guri, 34 vjeç nga Shkodra, i dënuar me burgim të përjetshëm, për veprat penale të parashikuara nga nenet 79, 140 të të Kodit Penal. Guri është akuzuar për vjedhje me armë dhe vrasje të kryer në qytetin e Shkodrës.
Artur Gora - Artur Gora, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një oficeri policie në Pojan të Korçës.