Ishte një fenomen
E kam thuajse të pamundur të flas për Sokol Olldashin në kohën e shkuar. Jo thjesht se isha një ndër miqtë e tij të afërt, që e kanë të vështirë ta pranojnë atë që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës. Por besoj se shpreh mendimin e shumicës së publikut se atij, më shumë se gjithçka dhe kujtdo tjetër, i rrinte fiks kostumi i së ardhmes.Në të gjitha kuptimet e kësaj fjale. Megjithatë, unë do të isha gati të falja gjithçka dhe do të kënaqesha pa bërë fare naze edhe vetëm që për të të flitej vetëm në kohën e tashme, si për çdo njeri të zakonshëm, mjafton që Sokoli të kthehej. Por kjo është tashmë e pamundur.Sokol Olldashi ishte një fenomen, jo thjesht si politikan, pavarësisht se ai vetë e zgjodhi këtë profesion, i cili ishte edhe vektori kryesor që shënjoi aktivitetin e tij publik kohët e fundit. Më shumë se kaq, ai ishte fenomen social dhe kulturor. I them pa droje tani këto fjalë, sepse nuk kam më frikë se dikush do të më kundërshtojë. Dhe nuk mund të ishte kush tjetër përveçse vetë Sokol Olldashit.(Panorama)Po të kisha guxuar t’ia thosha në gjallje, e di përmendesh reagimin e tij: “A ka mundësi të mos flasësh më nga këto trapllëqe”. Sepse Sokol Olldashi iku nga kjo botë pa u mbajtur dhe pa u krenuar kurrë me atë që ishte. Ndonëse në detyra të larta dhe tepër të rëndësishme, nuk di një rast të vetëm që t’i jetë imponuar dikujt si shef, qoftë ky edhe shoferi apo pastruesja e ministrisë. Ndaj edhe ishte i tillë pikëllimi dhe trishtimi që u përcoll në mbarë hapësirën shqiptare për vdekjen e tij. Të enjten përcollëm në atë botë jo thjesht një mik të shtrenjtë, por më shumë se kaq, një fenomen me përmasa kombëtare.Gjithmonë e kam pyetur veten se si ka mundësi që një njeri i vetëm ia del të ketë dhe t’u përgjigjet në një kohë kaq të shkurtër kaq shumë miqve njëkohësisht, me të cilët e lidh, në një mënyrë apo një tjetër, një histori personale? Përgjigjen ma dha vetë Sokol Olldashi të mërkurën në mbrëmje, kur u nda nga kjo jetë tragjikisht. Me sa duket atë nuk e priste puna. E kishte me ngut, si të gjithë ata njerëz të mëdhenj që e shpenzojnë tmerrësisht shpejt kohën që iu lë në dispozicion i Gjithëpushtetshmi.Nëse do të kishim mundësi të mblidhnim të gjithë miqtë e tij në një pallat sporti apo stadium, se nuk kishte sallë të vogël që t’i nxinte të gjithë, do të përftonim pa asnjë diskutim një Shqipëri në miniaturë. Të gjitha karakteret dhe problematikat e saj, që nga majat e elitave politike, artistike dhe akademike, e deri në skajet më fundore të shoqërisë. Pa asnjë kompleks dhe me të njëjtin përkushtim për të gjithë, dhe e theksoj, pa iu imponuar askujt si njeri i rëndësishëm apo me pushtet. Dhe si për ta bërë të plotë panoramën, shto këtu edhe ambasadorët e SHBA dhe të BE, të cilët gjithashtu i kishte miq, për të pasur një Shqipëri të tërë, në të gjithë larminë e saj.E thënë ndryshe, një Shqipëri e vogël, e mbledhur e gjitha rreth një personi të vetëm. Sepse Sokol Olldashi, më shumë se politikan me karrierë të admirueshme, gazetar i njohur i shtypit të shkruar dhe audioviziv, lëvrues i muzikës, poezisë e të tjera si këto, ishte një fenomen.Kam pasur fatin të jem një ndër miqtë e tij të afërt për rreth 20 vjet, e cila në fakt ka qenë edhe koha e shkëlqimit të yllit të tij. Ka qenë në një kuptim miqësi me shikimin e parë, ndonëse ky është një term që përdoret zakonisht në rrethana të tjera. Kur jemi ulur për herë të parë të flisnim diku nga viti 1994, në mos gabohem, m’u duk sikur kisha përballë veten time, por shumë vite më të ri. Dhe më dukej gati e pabesueshme se si ishte e mundur që një djalosh i asaj kohe të kishte gati të njëjtat shije për letërsinë, për muzikën, për pikturën, për modën dhe për sportin si dhe unë. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, të njëjtin përçmim për vanitetin, por edhe për diskot, për muzikën elektronike, ndonëse Shqipëria në ato vite kishte uri të skajshme për atë që konsideroj moda e asaj kohe. Dhe me një interes të jashtëzakonshëm me ato që sot e gjithë jetën, sipas meje, konsiderohen të vërteta absolute.Që prej asaj kohe e derisa u shua kemi jetuar me intensitet dhe kemi ushqyer reciprokisht një miqësi të veçantë, të cilën e kam një nga gjërat më të çmuara të jetës sime. Ndryshon shumë nga modeli bashkëkohor që jemi mësuar të shohim, sidomos në sallonet e politikës. Ku mik, në të shumtën e rasteve konsiderohet ai që është apriori me ty, për shkak se mbrohen interesa të përbashkëta.Ka qenë një miqësi pa asnjë kusht dhe kur askujt prej nesh nuk i është dashur të bëjë asnjë koncesion, për asnjë arsye dhe për asnjë rrethanë, që nga dita e parë e derisa Sokol Olldashin e thirri Ai lart (ky ishte termi që ai vetë përdorte). Në kohën kur u bëmë miq në xhep kishim aq lekë, sa vetëm një kafe mund t’i jepnim njëri-tjetrit. Madje, në shumë raste ai edhe atë nuk kishte mundësi, sepse ia kishte futur me të pirë një ditë më parë.Ka pasur gjëra të rëndësishme për të cilat jemi ndarë dhe nuk kemi qenë kurrë dakord, madje kjo vlen edhe për qëndrime publike. Ndonëse që prej njohjes e deri të mërkurën në darkë ne udhëtuam për dy dekada rresht në të njëjtin tren dhe me të njëjtën shpejtësi, megjithëse në shumë raste në vagonë të veçantë. Por ndoshta kjo jo thjesht për shkak të fatit. Por edhe sepse sa ngjanim, aq edhe ishim të ndryshëm.Megjithëse shumica e shqiptarëve e njohin për atë që ai ka dhënë dhe ka bërë kryesisht në politikë, Sokol Olldashi nuk u përqendrua kurrë seriozisht, ndonëse profesionin e zgjodhi vetë. Me siguri që të gjithë ata që e kanë njohur nga afër e kanë menduar ndonjëherë se çfarë do të kishte qenë në gjendje të bënte ai në rast se do të merrte një vendim të natyrshëm, të caktonte një prioritet. Fjala vjen të merresh vetëm me politikë, apo qoftë edhe me një gjë tjetër. Siç, tek e fundit, bëjnë të gjithë ata që i hyjnë seriozisht një pune dhe çojnë përpara një projekt. Ka shumë shembuj, edhe shqiptarë për këtë.Sokoli nuk e mori kurrë këtë vendim. Por ndoshta bëri mirë, se po ta merrte, nuk do të ishte më ai që ne kemi njohur. Duke mos ceduar asnjë moment në punën për të cilën votohej dhe paguhej, ai ndoqi pa asnjë hezitim çdo pasion të vetin, duke bërë dhe realizuar në mënyrë të pabesueshme për një kohë fare të shkurtër aq shumë gjëra të rëndësishme njëherësh.Një lexues i rregullt, i vëmendshëm dhe sqimatar i letërsisë dhe i gjithçkaje tjetër me vlerë, gjente kohë edhe për të shkruar poezi dhe prozë. Muzikant i talentuar, që shfrynte dufin shpeshherë i vetëm me kitarat e tij, por me raste edhe me miqtë e vet të shumtë në ahengjet më të këndshme dhe më elitare që janë organizuar ndonjëherë, ndonëse gjithçka ishte spontane. Një adhurues gati në mani i pikturës, të cilin mund ta gjeje po ashtu edhe në mejhanen më të humbur të një qyteti apo fshati të këtij vendi, gjithmonë i rrethuar me miq. Ishte një “bredharak” race që nuk i zinin këmbët dhé, dhe mblidhej vetëm për gjumë në shtëpi, por kjo nuk e pengoi asnjëherë që të shkëlqente dhe të arrinte sukses të jashtëzakonshëm, kudo që pati rastin të punojë. Njësoj si ata studentët superinteligjentë, që studionin vetëm për sezon, dhe megjithatë arrinin rezultate të shkëlqyera.Gjithmonë kam menduar se nuk janë thjesht dhuntitë e lindura, as eksperienca, as pasioni dhe vullneti, madje as të gjitha ato bashkë që e bëjnë diferencën dhe e dallojnë njeriun e zakonshëm me një burrë të shquar. Mbi të gjitha mendoj se është humanizmi, ose e thënë më shqip, njerzillëku, në radhë të parë, i plotësuar me të tjerat. Sokolin e perceptuan masivisht në Shqipëri si një shef që mund të jetë i tillë edhe pa e vrarë njeriun brenda vetes. Por për këtë nuk e kisha provën gjenerale. Atë na e dha Sokol Olldashi me ikjen e tij tmerrësisht të parakohshme dhe me zbrazëtirën që la pas shuarja e një fenomeni.