A ka plasaritje me SHBA pas krizës së armëve kimike
Në gëzimin e fitores që shënuan protestat rinore dhe popullore të këtij muaji kundër armëve kimike, kemi parë e po shohim me sytë e mendjes dhe shpirtit të endet edhe hija e një melankolie që ka lidhje me pasojën që mund të ketë lënë “jo”-ja shqiptare në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA-së. Çfarë bëmë?Nuk kam parasysh këtu një pakicë shumë të vogël njerëzish që shfrytëzojnë çdo rast për të nxjerrë në pah antiamerikanizmin e tyre. Kam parasysh atë shumicë dërmuese shqiptarësh që i ka dhënë Shqipërisë shenjën e vendit më proamerikan të rajonit; shumicën që nuk do të donte në asnjë rast të prishte qejf, siç themi me të folurën popullore, me SHBA, ata që u përfshinë në një zhvillim të papritur e të vrullshëm si ky i armëve kimike pa ndjenjën më të vogël të antiamerikanizmit, por në një revoltë kundër paqartësisë, shpërfilljes dhe pasigurisë ekstreme që krijon errësira informative dhe, lidhur me këtë, perceptimi i një prapaskene apo hileje individësh për një çështje kaq të ndjeshme popullore.Këta po shohin më qartë çfarë kanë bërë tani që u shpërnda deri diku mjegulla që kishte mbuluar pamjen e tyre. Kjo nuk do të thotë se kanë gabuar, se janë penduar. Nuk mund të ketë gabim të publikut aty ku nuk ka informim të publikut; askujt nuk mund t’i kërkohet të thotë “po” për një gjë që nuk i është shtruar e kërkuar seriozisht, me respekt, jo sa për të larë gojën. Të pretendosh se njerëzit do të të vijnë pas si delet është kulmi i mendjemadhësisë, që është mendjevogëlsi. Kjo është elementare me gjykimin e drejtë të “jo”-së popullore, që nuk ndryshon as pas transparencës “tym e flakë” që zoti kryeministër e bëri, aq sa e bëri, jo kur duhej të përfshinte publikun në fjalën që u kishte dhënë në parim amerikanëve, por në çastin kur po ua hante fjalën. Sa e pakuptimtë, por edhe sa perfide kjo “transparencë” kur s’duhej më! Ajo nxori në pah dëshirën e kryeministrit për ta treguar si antiamerikan frontin e “jo”-së dhe për të spikatur kësisoj ai vetë si një proamerikan në tentativë! Një kalkulim politik shkel e shko që nuk i reziston as logjikës më të thjeshtë!Por jemi te meraku i sinqertë i shumë e shumë njerëzve për të kuptuar a mos ka lënë pas ndonjë plasaritje kjo lloj “përplasjeje” në mjegull me SHBA-në. Nga Uashingtoni dhe nga Tirana po dalin çdo ditë zyrtarë dhe ish-zyrtarë, analistë dhe studiues, të cilët, pa mohuar dëmin e kohës që humbi administrata amerikane me “po”-në e Shqipërisë ashtu siç ua kishte dhënë në parim Edi Rama dhe pa nënvlerësuar shansin që paraqiste për Shqipërinë e vogël pjesëmarrja në një operacion që u ka mbetur në dorë si një lloj dopio gjashte ruso-siriane amerikanëve, po theksojnë megjithatë se tërheqja e Shqipërisë nuk i cenon marrëdhëniet e ngushtë midis dy vendeve, se jo vetëm kryeministri i Shqipërisë, por edhe Departamenti i Shtetit duhej ta kishin menaxhuar më mirë çështjen duke llogaritur edhe aktorë e faktorë të tjerë të transparencës, konsultimit dhe vendimmarrjes në Tiranë.Në parim, në thelb pohimi se nuk ka një krisje SHBA-Shqipëri qëndron. Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë historinë e tyre. Këto marrëdhënie nuk janë bërë strategjike nga shkëmbimet, edhe pse nuk mund të kuptohen pa shkëmbime. Por Shqipëria nuk do t’ia dilte kurrë, në jetë të jetëve, të balanconte sadopak kontributin amerikan për të, Kosovën, kombin shqiptar. Në demokraci nuk e zgjedh vetëm i vogli të madhin. Përtej reciprocitetit, e kundërta është më afër së vërtetës. Pra, e zgjedh kryesisht i madhi të voglin. Ka dhe vende të tjera që do të donin të gëzonin statusin e Shqipërisë në marrëdhëniet me SHBA-në. Në këtë mes veprojnë faktorë kompleksë gjeopolitikë, politike, ekonomikë që determinojnë vëmendjen, zgjedhjen. Sa të jetë Shqipëria demokraci, marrëdhëniet e saj me SHBA dhe të SHBA-së me Shqipërinë do të jenë të ngushta, strategjike. Pavarësisht se kush është e kush do të jetë kryeministër në Tiranë. SHBA, po të shtrohet çështja, i vënë vizë kryeministrit, qeverisë së tij, por kurrsesi Shqipërisë, popullit të saj. Kjo nuk ka qenë dhe nuk është parullë. E kemi jetuar dy-tri herë në këto 23 vjet Shqipëri demokratike.Në këtë “rebelim” të publikut shqiptar kësaj here, SHBA kanë edhe një arsye tjetër të fortë për të hedhur pas çdo shkëndijë zemërimi e zhgënjimi me Shqipërinë, madje për t’u gëzuar, edhe pse u hapëm telashe me iluzionet që u krijoi kryeministri ynë. Arsyeja është demokracia. Shqiptarët ushtruan një vlerë të madhe të demokracisë, siç është protesta për transparencë, për përfshirje, për respekt, për dinjitet, për përfillje, për ushtrimin e sovranitetit të popullit në vendimmarrjet e mëdha. Ky ishte një zhvillim historik që e ndau në dysh kohën e Shqipërisë brenda sistemit demokratik. Megjithëse në një akt kundërshtimi të SHBA-së në pamje të parë, ishin përsëri SHBA në vorbullën e këtij ndryshimi të madh në Shqipëri. Natyrisht, në emergjencën e shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë, Uashingtoni do të kishte preferuar në këtë moment marrjen e këtyre armëve nga Shqipëria. Cinikët dhe arrivistët e kanë në majë të gjuhës shprehjen “Shqipëria na mashtroi”, pa hyrë në brendësi të zhvillimeve. Por jeta vazhdon dhe siç e thamë më lart, SHBA-së i intereson pikësëpari demokracia në Shqipëri. Në Shqipërinë e lirë ata janë në shtëpinë e tyre. Në Shqipërinë antidemokratike, nuk kanë qenë e nuk do të ishin fare. Prandaj u intereson më shumë të forcojnë demokracinë e Shqipërisë sesa kryeministrin e saj.Koshienca popullore e kap drejt sipas meje qasjen konstante amerikane në raport me Shqipërinë mike në këtë pjesë të Europës. Thellë-thellë askush nuk beson se amerikanët janë zemëruar me ne dhe do të na mbajnë inatin njëqind vjet si në eposin e kreshnikëve. Megjithatë, meraku se çfarë bëmë ndihet e manifestohet gjithandej duke ngjyrosur humorin e përgjithshëm të vendit dhe duke apeluar për një reflektim pozitiv për “krizën” e armëve kimike nga të gjitha palët.(Mapo)Amerikanët po flasin vetë për pakujdesitë e tyre. Na mbetet vetëm të marrim shembull nga kuraja e tyre autokritike vetëkorrigjuese. Po ne? Kryeministri ynë ka më shumë se kërkush arsye për të reflektuar në këtë histori që vjen e shfaqet dy muaj pasi ka ardhur në pushtet si një pasqyrë e gjithë defekteve të tij politike, përfshirë hutimin e tij karakteristik në shtjellat e ngjarjeve të mëdha politike. Ai e trajtoi çështjen e armëve kimike si një fantazmagori për popullin shqiptar. Nga ana tjetër u krijoi iluzione amerikanëve dhe lejoi me sjelljen e tij evazive trajtimin e çështjes nga shumë media të botës si një fakt të kryer. Në këtë mënyrë, duke e shtyrë çështjen si në një sanduiç, midis fantazmagorisë dhe faktit të kryer ai krijoi një gjullurdi që nuk do ta kishte vënë në skenë as regjisori më i fantaksur i botës. Zoti Rama mund të reflektojë me realizëm dhe me gjakftohtësi, siç u ka hije politikanëve të prerjes intelektuale, edhe rreth një fakti tjetër: që në nisje nuk duhej të kishte pretenduar ndjekje të verbër nga publiku për atë që dëshironte të arrinte me amerikanët, sa kohë që nuk njihet si një proamerikan konstant, i spikatur, i pa interes vetjak.Për t’u mjaftuar me një shembull të freskët, le të kujtojmë votimin një vit më parë në OKB të rezolutës për Palestinën, kur Shqipëria përshtati qëndrimin abstenues, që ishte më afër qëndrimit amerikan sesa atij turk. Kryeministri turk Erdogan u zhbalancua duke e quajtur frikacak kryeministrin shqiptar. Pikërisht këtij Erdoganit vajti dhe i paraqiti forcën me tendencë, me të ardhur në pushtet, zoti Rama. Këto gjëra flasin vetë, nuk kanë nevojë për shumë komente. Nga ky lloj baleti i kërkuar politik dhe diplomatik, natyrshëm dhe logjikshëm mbetet përshtypja se kryeministri po bën politikë personale si qëmoti, po kërkon ta rregullojë me amerikanët si qëmoti për t’u vetëlicencuar me licencën e arbitraritetit dhe arrogancës në Tiranë. Ne kemi përvoja të hidhura me fotot që kanë bërë politikanë meskinë e dinakë shqiptarë me presidentë të SHBA-së. Tepër arbitrar është shfaqur zoti Rama këta dy muaj pa amerikanët. Nuk është e vështirë të imagjinohet se si do të kishte shumëfishuar në këtë aspekt po të kishte marrë edhe letrat e presidentit Obama apo të Sekretarit të Shtetit, Kerri.Protestat e nëntorit e shpëtuan vendin nga ky rrezik, por problemi i arbitraritetit mbetet i hapur në ngulmimin e habitshëm të Ramës se po t’i jepej rasti ta niste nga e para nuk do të ndryshonte asgjë, që do të thotë se prapë do t’i iludonte amerikanët, prapë do t’u humbte kohë, prapë do ta linte publikun pa shpjegime, prapë, prapë, prapë. Ai që ka gabuar më shumë nuk po reflekton fare. Po vrapon në rrugën e humbjes, kur realisht vendi ka nevojë për t’u qeverisur. Puna e tij.Opozita politike dhe vetë protestuesit kanë qenë në njëfarë mënyre në garë me kohën me qëndrimet që kanë mbajtur. Opozita, sipas meje ka mbajtur qëndrimin më të drejtë duke marrë anën e protestuesve dhe publikut, ndërkaq nuk ka patur arsye për protagonizëm të jashtë institucioneve dhe as për teprime e antiamerikanizëm naiv nga opozitarë të veçantë. Në qoftë se një protestues çfarëdo edhe justifikohet duke besuar telefonin e prishur që krijonte përfytyrime të gabuara deri apokaliptike për armët kimike, një deputeti apo deputeteje nuk i lejohet ta konceptojë demontimin e kontrolluar të armeve kimike si sulm kimik.Ndryshe nga qeveria dhe opozita, reflektimi i protestuesve sheh e duhet të shohë përpara. Që do të thotë të mos e lënë me armët kimike, por të jenë në sheshe në rastin më të parë të përligjur kundër helmeve të tmerrshme shqiptare që po rrezikojnë demokracinë, siç është blerja e votës, marrja peng e zgjedhjeve të lira nga krimi ekonomik apo kundër të këqijave të tjera që vetëdija e re demokratike e rinisë shqiptare mund t’i identifikojë më mirë se kushdo tjetër. Kjo do ta bëjë shumë më të ngushtë lidhjen tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Realpolitika më e mirë midis dy vendeve është demokracia. Për fat.