Kosovë-Shqipëri, nisma të përbashkëta në kulturë
Nga muaji janar Shqipëria dhe Kosova do të nisin konkretisht punën në hartimin e dokumenteve të rëndësishme për një bashkëpunim dhe bashkëveprim në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore.Kështu u tha në takimin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, me homologen nga Shqipëria Mirela Kumbaro-Furxhi.Ministrja Kumbaro-Furxhi, u shpreh se marrëdhëniet mes dy ministrive duhet “të shënojnë një epokë të re të bashkëpunimit kulturor, të përkthyera në aksione konkrete. Ajo për të cilën duhet të punojmë është krijimi i një strategjie të përbashkët kulturore”.“Bashkëpunimi rajonal në fushën e kulturës është një nga prioritetet e Ministrisë së Kulturës, por edhe e vetë qeverisë së re të Shqipërisë. Ne do të punojmë për krijimin e një hapësire kulturore mbarëshqiptare, e mbështetur institucionalisht, ku hapësirat kulturore të trajtohen me disa qendra, por të unifikuara”, tha ministrja Kumbaro-Furxhi.Mbështetja financiare tha Ministri Krasniqi është rritur edhe për kulturën e pavarur dhe se tashmë Kosova ka krijuar një kalendar të pasur me aktivitete kulturore.“Bashkëpunimet kulturore kanë qenë të mira, si në rastet e shkëmbimeve të aktiviteteve në muaj të përbashkët kulturorë, apo dhe në bashkëpunime individuale artistësh, por vlen të theksohet se kanë mbetur në bashkëpunime të fragmentarizuara të qëllimit. Ajo për të cilën duhet të punojmë është krijimi i një kornize bashkëpunimi, që do t’i vlejë artit, kulturës dhe vlerave tona të përbashkëta. Unë besoj fort se misioni ynë është i përbashkët, po ashtu edhe sfidat tona janë të përbashkëta”, tha Krasniqi.Temat kryesore të diskutimit ishin:1. Hartimi i një kalendari të përbashkët kulturor, jo në një muaj, në një javë, por gjatë tërë vitit, mes institucioneve të kulturës të dy vendeve tona në fushën e teatrit, kinematografisë, operës, baletit, librit, etj.2. Hartimi i një platforme për trashëgiminë kulturore, me qëllimin e ndërtimit të nismave të përbashkëta bashkëpunimi për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.3. Harmonizimi i legjislacionit në fushën e artit dhe kulturës, në kuadër të BE-së dhe përvojës së dy vendeve. Qëllimi i këtij harmonizimi bëhet me synimin e shmangies së barrierave ligjore për një qarkullim të lirshëm të artistëve, artit dhe kulturës së përbashkët.