Thuaj “PO” Shqipërisë, Kryeministri Rama takim me mjekët e sukseshëm në botë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, kanë zhvilluar pasditen e sotme në “Pallatin e Brigadave” një takim me mjekët e sukseshëm të diasporës shqiptare nëpër botë.Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama e cilësoi shërbimin shëndetësor në agoni, ndërsa shtoi se, gjendja është e patolerueshme dhe emergjente në të njëjtën kohë."Do të bëjmë gjithçka për t’i dhënë fund agonisë së sektorit të shëndetit mjekësor. Pres prej jush që të na ndihmoni. Duam të ndërtojmë një shërbim kombëtar shëndetësor të denjë. Duam që së bashkë me ju të bëhemi një trup i vetëm në këtë qëllim kaq madhor. Ky bashkëpunim duket i ndarë në dy kantierë të mëdha; ata brenda Shqipërisë dhe ata jashtë Shqipërisë. Jemi përballë një shumëllojshmërie aktorësh brenda dhe jashtë vendit, që janë pjesë e një vendi si ky i yni me përmasa shumë të vogla po me histori të gjatë emigrimi, histori që secili prej jush i ka kthyer në histori suksesi, edhe të atyre që nuk janë sot këtu edhe pse dëshirën e kishin të madhe. Ky takim nuk do të jetë i fundit dhe ju përgjigjet një thirrje në nevojë për të mbështetur një sektor i cili është më i prekshmi. Jemi në një gjendje emergjente dhe çfarë do që bën sot influencon ato që do ndodhin nesër. Çelësi është bashkëpunimi që nuk lidhet vetëm me vullnetin politik, por për ne është politika e ndërlidhjes së fateve me sukses duke inkurajuar pjesëmarrjen, ashtu siç jeni ju sot këtu, kur qeveria ka ditur të tregojë seriozitet. Të lësh punën dhe të marrësh rrugën për të ardhur këtu është një sakrificë në vetvete, edhe materiale dhe shëndetësore.  Ju u larguat, pasi vendi nuk iu ofronte mundësitë, por edhe arritjet tuaja janë një shembull shumë frymëzues për atë që shqiptarët së bashku dhe Shqipëria e vetme mund t’ia arrijë. Nuk ka dyshim, që po flasim për një fushë shumë të vështirë dhe një sistem që ka nevojë për një kurë në çdo qelizë të tij, pasi duhet një kurë e fortë për të, që të kurojë dhe njerëzit më pas. Korrupsioni mban peng të ardhmen e Shqipërisë dhe sidomos të këtij sektori", u shpreh kryeministri Rama.Rama tha se në shëndetësi rrënimi institucional është më i prekshmi, duke theksuar se gjithçka çfarë bëjmë sot influencon atë që do të kemi nesër.“Shëndetësia, ku ne duhet t’i përgjigjemi sfidës që na ka vënë përballë një gjendje e patolerueshme, është emergjente, dhe pa harruar se në çdo hap çfardo , që ne bëjmë sot influencon atë që do kemi nesër. Çelësi i suksesit të vështirë në këtë fushë është bashkëpunimi, që nuk lidhet me vullnetin politik, por që për ne është politika, politika e ndërlidhjes së afateve në sukses, duke mbështetur pjesëmarrjen që siç e tregon prania juaj këtu nuk mungon sa herë që kërkohet me sinqeritet, dhe kur kërkohet për të bërë një punë të mirë.”- tha Rama.Rama tha se synohet që shërbimi të jepet jo sipas të ardhurave por duhet të jetë sipas nevojave.“Synim ynë është sistem shëndetësor universal, për të siguruar një shërbim shëndetësor që mund tu ofrohet të gjithëve, ndërsa financohet nga sistemi i taksimit të përgjithshëm”- tha Rama, i cili duke iu referuar gjendjes financiare kujtoi një shprehje “Ne shqiptarët e kemi pakëz si pisk punën, por e kemi shpresën të madhe”.  Ashtu, shtoi Rama, e kemi situatën, si për shpresën si për punën.