Brukseli nxit qeverinë shqiptare që të vijojë rrugën e reformave
Gjatë takimeve që kanë zhvilluar tre ministrat, Klajda Gjosha, Saimir Tahiri dhe Nasip Naço me zyrtarë të lartë në Bruksel, komisonerët europianë kanë vënë theksin në plotësimin e rekomandimeve. Komisioneri Stefan Fyle ka theksuar se këtë progres që kanë paraqitur 3 ministrat, vendet e BE duan ta shohin.“Jam i impresionuar nga puna e bërë së fundmi. Raportimet tuaja janë shumë domethënëse. Këtë duan të shohin edhe vendet anëtare në mënyrë që Shqipëria të përfitoj sa më shpejt nga marrja e statusit kandidat”, u shpreh Fyle.Ndërsa Komisionerja Malmstrom ka vënë theksin te trajtimi i komunitetit rom, duke qenë një nga kategoritë e azilkërkuesve në Europë."Raportimet tuaja mbi arritjet e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin me shumë vlerë. Këto janë shenja mjaft pozitive që na vijnë nga Shqipëria. Shqetësimi im mbetet komuniteti rom duke qenë se ata përbëjnë pjesën më të madhe të azilkërkuesve dhe do të doja të shikoja punë më të madhe në këtë drejtim", tha Malmstrom.Ndërkaq Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, ka theksuar në takime se shqiptarët kanë nevojë të kenë besim tek Bashkimi Evropian."Shqiptarët e duan Bashkimin Evropian. Rreth 87% e tyre janë pro hyrjes në BE. Ndaj ne e shohim me shumë vlerë vendimin e muajit dhjetor, pikërisht si një nxitje të mëtejshme në angazhimin që kemi ndërmarrë për të përmbushur reformat", tha Ministria Gjosha.Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është ndalur te reforma në drejtësi aq e kritikuar nga opozita shqiptare."Jemi duke bërë reforma në polici në nivel qëndror dhe lokal, për ta sjellë atë më pranë qytetarëve. Rezultatet tona të deritanishme janë konkrete dhe shifrat flasin qartë për një angazhim serioz të qeverisë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Nuk ka vend për triumfalizëm, kemi ende shumë sfida përpara." tha Tahiri.Ndërsa ministri Naço ka pasqyruar punën për reformimin e sistemit gjyqësor."Kemi kërkuar asistencën e Komisionit të Vencias dhe shumë shpejt presim të nisim bashkëpunimin me ta. Për të piketuar ato pika ku kemi më shumë nevojë për asistencë”, u shpreh Naço.Ministrat shqiptarë, u zotuan se do të zbatohen afatet e përcaktuara në Planin e Veprimit ku parashtrohen masat konkrete sipas 5 prioriteteve të lëna nga Komisioni Evropian.