Statusi i kandidat në dhjetor, tre ministra të kabinetit "Rama" në Bruksel

Ndërsa mbeten vetëm pak javë përpara marrjes së vendimit për statusin e Shqipërisë nga vendet anëtare të BE, tre ministra të kabinetit “Rama” ndodhen në Bruksel për një vizitë të rëndësishme zyrtare.Ministrja e Integrimit Evropian Klajda Gjosha së bashku me Ministrin e Drejtësisë Nasip Naço dhe Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, do të raportojnë dhe dëshmojnë, për progresin e bërë që pas marrjes së mandatit nga qeveria e re.Reformat dhe masat konkrete të ndërmarra deri tani për prioritetet e lëna nga progres-raporti i 16 tetorit, do të jenë  fokusi i kësaj vizite për ministrat shqiptarë.Tre ministrat shqiptarë, janë takuar paraditen e sotme me Sekretarin e Përgjithshëm Ekzekutiv të EEAS (European External Action Service),  Pierre Vimont.Ata informuan sekretatin Vimont rreth masave të marra deri tani nga qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, si dhe realizimit të reformave në përgjithësi.

Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha është shprehur në takim se  integrimi në BE është proces i cili nuk ka kthim pas dhe se qeveria shqiptare është e vendosur për të çuar përpara reformat për të ecur përpara drejt këtij procesi.

Në vijim është mbajtur edhe një  panel për Shqipërinë në European Policy Center me prezencën e tre ministrave, i drejtuar nga Joost Korte zv/DP i DP për Zgjerimin, dhe  Rjelic, Drejtor i Zyrës së SWP në Bruksel si dhe  është zhvilluar një takim  pune me ambasadorët e BE-së, Komisionit Europian dhe EEAS.Rreth orës 16:10 - 17:10  është planifikuar një takim pune me Komisioneren për Çështjet e Brendshme, znj. Cecilia Malsmtrom.Vizita e tre ministrave të kabinetit “Rama”, është e fundit e planifikuar deri në dhjetor, kur do të merret vendimi nga shtetet anëtare të BE-së nëse Shqipërisë do t`i jepet ose jo statusi i vendit kandidat.