Rama mbledhje qeverie, miraton investime në sektorin e ujit dhe rrugëve

Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e kryeministrit Rama, në mbledhjen e se premtes ka miratuar disa vendime të rëndësishme.Njëri prej tyre ishte vendimi për emërimin e zotit Idlir Peçi në postin e zëvendës/ministrit të Drejtësisë.Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratuan edhe 3 vendime të tjera të rëndësishme, që lidhen me miratimin në parim të marrëveshjes së huasë me IBRD-në për financimin e projektit të investimit në sektorin e ujit, miratimin e marrëveshjes së grantit me BERZH për projektin e rrugëve rajonale dhe lokale dhe miratimin në parim, të memorandumit të ri të mirëkuptimit për kuadrin institucional të iniciativës për gatishmërinë dhe parandalimin e katastrofave për Evropën Juglindore.Huaja e cila do të jetë në vlerën 62. 500.000 Euro ka si objektiv përmirësimin e cilësisë së shërbimit në fushën e ujësjellësit dhe kanalizimeve të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizime Durrës (NUKD). Granti lidhet me investimin në rrugët rajonale dhe lokale.Sipas qeverisë, projekti i rrugëve rajonale dhe lokale synon rindërtimin e rreth 500 km rrugë rajonale dhe lokale dhe është pjesë e një programi të gjerë që ka ndërmarrë qeveria e Republikës së Shqipërisë me qëllim financimin e rehabilitimit të 1000 – 1500 km rrugë rajonale dhe lokale.VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, MIRATUAR NË DATËN 22 NËNTOR 2013

 1. Për miratimin, në parim, të marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për financimin e projektit  të investimit në sektorin e ujit.

Projekti i Investimit në Sektorin e Ujit, që sipas kësaj marrëveshjeje do të financohet tërësisht nga Banka Botërore (IBRD), nëpërmjet një huaje në vlerën 62. 500.000 Euro, ka si objektiv përmirësimin e cilësisë së shërbimit në fushën e ujësjellësit dhe kanalizimeve të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizime Durrës (NUKD).

2. Për miratimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në lidhje me grantet e investimit nga llogaria EU/IPA 2011 dhe llogaria EU/IPA 2010, për projektin e rrugëve rajonale dhe lokale.

Projekti i rrugëve rajonale dhe lokale synon rindërtimin e rreth 500 km rrugë rajonale dhe lokale dhe është pjesë e një programi të gjerë që ka ndërmarë qeveria e Republikës së Shqipërisë me qëllim financimin e rehabilitimit të 1000 – 1500 km rrugë rajonale dhe lokale.

3. Për miratimin, në parim, të memorandumit të ri të mirëkuptimit për kuadrin institucional të iniciativës për gatishmërinë dhe parandalimin e katastrofave për Evropën Juglindore.

Memorandumi i mirëkuptimit, i nënshkruar nga 11 vende të Evropës Juglindore, synon të forcojë bashkëpunimin shumëdimensional, me qëllim parandalimin dhe përgatitjen ndaj fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të shkaktuara nga njeriu.  

4. Për emërim në detyrë  të z. Idlir Peçi, zëvendësministër i Drejtësisë.