Tiranë, grabitet me armë biznesmeni, i merren 40 mijë euro

Një biznesmen është grabitur me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00 të mesditës, ndërsa është bërë e ditur vetëm në mbrëmje. Burime nga policia bëjnë me dije se në zonën pranë Urës së Beshirit në kryeqytet, një person i armatosur me shotgan ka kërcënuar biznesmenin, identiteti i të cilit nuk dihet ende, duke i thyer dhe xhamin e mjetit në të cilin gjendej ndërkohë biznesmeni.Pas kësaj grabitësi ka mundur të finalizojë dhe aksionin e tij, duke grabitur 40 mijë euro të cilat biznesmeni i dispononte me vete, për tu larguar menjëherë më pas në drejtim të paditur. Biznesmeni më pas ka denoncuar rastin në komisaratin numër 6 në zonën e Kombinatit, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit të grabitjes.