Paralajmërimi për Shqipërinë: Po ngadalësohet rritja ekonomike e vendit

Gjendja e financave shqiptare është përkeqësuar, ndërkohë që borxhi është rritur ndjeshëm. Si rezultat Shqipëria vlerësohet si një vend me nivel të ulët besueshmërie ose B1.Agjensia e Vlerësimit të Kreditit Moody-s në raportin e fundit të publikuar thekson se ekonomia shqiptare po përballet me sfidën e ndryshimeve fiskale, borxhin publik në rritje dhe ngadalësimin e fortë të ekonomisë që pritet të vazhdojë edhe për disa kohë.Në raport i kërkohet qeverisë që të ndërmarrë masa për të realizuar progrese strukturore për të përmirësuar renditjen përsa i përket nivelit të borxhit. Sipas Moody's situata është përkeqësuar nga struktura e brishtë e financimit, që ka çuar në një ulje të maturitetit mesatar të borxhit dhe si pasojë ka sjellë një numër më të vogël të investitorëve.Por sipas agjensisë së vlerësimit Moody's ka edhe faktorë lehtësues, si përshembull politikat monetare të kujdesshme të Bankës së Shqipërisë dhe stabiliteti i lartë i çmimeve, që janë reflektuar në një qendrueshmëri të kursit të këmbimit gjatë viteve të fundit.Për më tepër në raport vlerësohen përmirësimet ligjore të realizuara në kohët e fundit në proçesin e ekzekutimit të kolateralit që po ulin nivelin e kredive me probleme.Por sipas agjensisë Moody-s në ekonominë shqiptare ka edhe disa sinjale pozitive si marrja e mundshme e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian në muajin dhjetor dhe ndërtimi i gazsjellësit Trans Adriatik, TAP në vitin 2015.Sipas agjencisë së vlerësimit të kreditit, aktiviteti ekonomik është ngadalësuar ndjeshëm dhe parashikohet që rritja të jetë e "ndrydhur" edhe në vitet në vijim. Raporti, i agjensisë më të njohur për financat në botë nuk shërben për qëllime zyrtare vlerësimi, por i drejtohet tregut dhe ka impakt sidomos tek investitorët e huaj.