Prerja e pemëve tek Liqeni Artificial, Bozdo: Policia injoron denoncimin e Bashkisë
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Eno Bozdo ka denoncuar sot forcat e rendit të cilët nuk marrin në konsideratë denoncimet e Bashkisë Tiranë për masakrën që po ndodh në Parkun e Liqenit Artificial në kryeqytet. Në një hark kohor, prej një jave janë prerë 175 pemë të tipit frashër, akacie dhe vidh.Ndërkohë që nënkryetari i Bashkisë Bozdo, i ka bërë thirrje forcave të rendit të marrin përgjegjësinë që ju takon për të ndalur këtë masakër në Liqenin Artificial.“Jam këtu për të denoncuar mediatikisht një masakër që ka ndodhur në harkun kohor prej një jave në Parkun e madh të Liqenit Artificial të Tiranës. Në parcelën 22 që shikoni nga mbrapa, nga persona të papërgjegjshëm që nuk meritojnë që të quhen as qytetarë të Tiranës. Janë prerë filiza dhe pemë të cilat janë mbjellë për hir të parkut për të shtuar gjelbërimin edhe për qytetarët e Tiranës. Përpara një jave janë prerë 140 pemë të tipit frashër, vidh, akacie dhe me të gjithë denoncimin që ne kemi bërë pranë organeve kompetente, ky është denoncimi përkatës, asnjë masë nuk është marrë , asnjë veprim nuk është bërë, denoncimi ka qenë i specifikuar, duke dhënë të gjithë informacionin e nevojshëm për forcat e rendit. Sot, në mëngjes në të gdhirë janë prerë edhe 35 pemë të tjera që ju i shikoni atje. Është një masakër që të lë pa fjalë, që të lë pa frymë por përgjegjësit duhet të marrin dënimin e merituar, për këtë arsye e denoncojmë sot në mënyrë meidatike këtë akt kaq të shëmtuar që i ka ndodhur parkut të liqenit të madh dhe i kërkojmë forcave të rendit që të marrin parasysh denoncimin tonë të parë të ndodhur para një jave, denoncimin tonë të dytë që ka ndodhur sot, që të mos lejojnë më që ky park që i shërben të gjithë qytetarëve të Tiranës për arsye që s’kanë fare të bëjnë me ta, të masakrohet në këtë mënyrë”- deklaroi nënkryetari Bashkisë Tiranë, Bozdo.