Kredi strehimi për 679 familje, shtyhet pr/ligjin për shpronësimet te St. i Trenit
Këshilli Bashkiak miratoi sot kreditë e strehimit për rreth 679 familje. Fillimisht u propozua nga këshilltarët e majtë, miratimi edhe i listës shtesë me 70 emra, të cilët kishin aplikuar pas publikimit të listës së parë me 679 emra. Por këshilltarët e djathtë kanë kërkuar miratimin e listës së publikuar disa ditë më parë, ndërsa lista me emrat shtesë, sipas tyre të miratohet në një mbledhje tjetër.Pavarësisht diskutimeve, Këshilli Bashkiak miratoi dhënien e kredisë së butë për strehim për 679 personat që rezultonin në listën e publikuar disa ditë më pare.Gjatë mbledhjes ka pasur diskutime mes këshilltarëve të majtë dhe të djathtë edhe për shpronësimin e pronarëve te Stacioni i Trenit, me fillimin e punimeve aty të Bulevardit të Ri. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo propozoi miratimin sot të shpronësimeve të banorëve te Stacioni i Trenit:"Të alokojmë nga buxheti i 2013, 160 milionë lekë, që do të ndryshojnë destinacionin e do të merren nga fondi principial apo rezervave". 1 miliard e 750 milionë lekë është vlera totale e shpronësimeve. Urojmë të gjejmë konsensus, se kjo vepër duhet të procedojë dhe mos vonojë. Kërkojmë votim unanim, në frymën e konsensusit. Duhet të propozojmë në qeveri për të ndryshuar ligjin e shpronësimeve, që asnjë banor mos mbetet i pakënaqur”tha ai.Një fakt i tillë është kundërshtuar nga të majtet, nisur dhe nga fakti se në të njëjtën kohë që diskutohej në Këshill, banorët e Stacionit të Trenit protestonin para Bashkisë."Problemi më kryesor është problemi i qytetarëve-pronarë. Nuk është në nderin e një këshilltari të marrë vendime, kur për këto vendime protestohet. Basha ka shprehur vullnetin për të gjetur gjuhën mes ligjit dhe interesave. Duhet lënë dhe pak kohë, në mbledhjen e radhës, të përpiqemi të mos marrim vendim që i bëjnë karshillëk pronarëve. Ta ndërtojmë Tiranën, por jo duke lënduar qoftë dhe pak vetë. Të përpiqemi maksimalisht. Shans bashkisë të dialogojë për gjuhën e përbashkët", tha përfaqësuesi i LSI, Shezai Rrokaj.Përkundër debateve, Këshilli Bashkiak, shtyu vendimin për fondin 160 milionë lekë për zgjatimin e Bulevardit të ri, të kërkuar nga Bashkia, deri në marrjen e një informacioni të plotë.Në orë të vona Këshilli Bashkiak ka pasur debate mbi anëtarët e Këshillit në qarqe. Përfaqësuesit e PS kanë kërkuar shkarkimin e përfaqësuesve të PD, ndërsa përfaqësuesi i PD, Ferdinand Poni e konsideroi këtë një farsë.