Tahiri me homologun francez: Luftë krimit e korrupsionit. Vëmendje frenimit të azilkërkuesve

Integrimi europian i Shqipërisë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, çështjet e azilkërkuesve e sigurisht lufta ndaj kriminalitetit dhe forcimi i bashkëpunimit policor kanë qenë temat kryesore të takimit që ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka zhvilluar me homologun e tij francez, Manuel Valls, Ministri i Brendshëm të Francës.Ministri Tahiri e ka siguruar homologun francez se integrimi europian është një prioritet i padiskutueshëm për Qeverinë Shqiptare duke garantuar gatishmërinë për të ecur përpara me procesin e reformave, veçanërisht në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës.Rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit gjatë dy muajve të fundit ministri Tahiri i ka konsideruar si një shenjë të qartë të vullnetit të Qeverisë për të luftuar pa asnjë kompromis korrupsionin, krimin e organizuar dhe të gjitha trafiqet e paligjshme. Ai ka shprehur gadishmërinë për të forcuar bashkëpunimin me policinë franceze.Ministri Valls mbështeti procesin e reformave të ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare në kuadër të Integrimit Evropian si dhe ka siguruar gadishmërinë e plotë të qeverisë së tij për të forcuar bashkëpunimin, veçanërisht në fusha me interes të dyanshëm, si lufta kundër trafiqeve të drogës, qënieve njerëzore, apo edhe për frenimin e azilkërkuesve që vijnë në Francë nga Shqipëria."Ne e duam Shqipërinë në familjen Evropiane, ndaj jemi të gatshëm t'ju ndihmojmë. Qeveria franceze është e kënaqur dhe po e ndjek me vëmendje punën e Ministrisë së Brendshme dhe Qeverisë shqiptare. Ashtu si Komisioni Evropian, edhe ne kemi shënuar rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërkohë që mbetet ende për të bërë, veccanërisht për cështjen e shtetasve azilkërkues. Marrëveshja e ripranimit që kemi nënshkruar mes dy vendeve po funksionon shumë mirë", u shpreh ministri francez.Ministri Tahiri dhe Ministrit Vals dakordësuan për nënshkrimin e një marrëveshje dypalshe për luftën e përbashkët kundër trafikut të qënieve njerzore dhe abuzimit me regjimin e azilit. Nga ana e tij ministri Tahiri ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar një plan integral për të frenuar azilkërkuesit, duke përcaktuar detyra konkrete për strukturat e policisë, por edhe masa më të ashpra për punonjësit e policisë që janë të lidhur me këtë fenomen, apo me trafikun e qenieve njerëzore.Gjithashtu, Minisitri Vals u shpreh i gatshëm për të ndihmuar forcimin e kapaciteteve profesionale të Policisë Shqipëtare nëpërmjet krijimit të mundësive për oficerët shqiptarë të cilët mund të studjojnë në akademinë e policisë francëze.Ministri shqiptar nuk ka lënë jashtë vëmendjes edhe bashkëpunimin e deritanishëm në fushën e përgatitjes së pasaportave dhe kartave të identitetit, të cilat po realizohen nga një kompani franceze.Gjatë vizitës së tij në Francë ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri  është takuar edhe me drejtorin e përgjithshëm të të huajve në Ministrinë e Brendshme franceze, Luc Derepas me të cilin ka ndarë më në detaje informacione lidhur me planin integral lidhur me trajtimin e çështjes së azilkërkuesve në të dyja vendet. Nga ana e tij, z.Derepas është shprehur shumë i kënaqur për seriozitetin me të cilin po e trajton Ministria e Brendshme shqiptare këtë problem.