Përfundon projekti PAZA, Sequi: Shëndeti i kafshëve, impakt të madh në ekonomi
Vaksinimi i bagëtive të imta kundër brucelozës ka ulur numrin e personave të prekur nga kjo sëmundje. Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Ettore Sequi, në fjalën e mbajtur në përfundim të projektit PAZA ka deklaruar se shëndeti i kafshëve është një çështje me rëndësi dhe me impakt për ekonominë. Sipas Sequi në Shqipëri janë vaksinuar 2.5 milion bagëti të imëta.“Shëndeti i kafshëve është një çështje e rëndësishme për jetën e njerëzve dhe me impakt për ekonominë e një vendi. Duhet të dini se 60% e sëmundjeve patogjene të njeriut vijnë nga kafshët. Ndërkohë që fushata e vaksinimit të bagëtive të imta ka qenë e suksesshme, pasi janë vaksinuar 2.5 milion krerë bagëti të imta. Por ajo që është më e rëndësishme është fakti se si rezultat i kësaj ka rënë ndjeshëm numri i personave të prekur nga bruceloza.Vaksinim, do të thotë parandalim i një sëmundjeje dhe pikërisht për këtë është më mirë sesa kurimi” tha Sequi.Ndërsa Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, u shpreh se kjo fushatë vaksinimi ka rritur sigurinë e konsumatorëve.“Projekti, i cili kishte si qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit nga sëmundja e brucelozës, ka qenë një sukses i vërtetë, pasi projekti vendosi një sistem masiv vaksinimi në kafshët e imëta. Kemi ulje të ndjeshme të një prej sëmundjeve më të rrezikshme në Shqipëri atë të brucelozës. Kjo falë kontributit të këtij projekti.Projekti vendosi edhe një sistem modern të identifikimit të rregjistrimit të kafshëve nëpërmjet një database, i cili vendosi për herë të parë standarde evropiane, sipas parimit nga ferma në tavolinë, jemi krenarë që e kemi stabilizuar këtë sistem”u shpreh Panariti.Projekti PAZA u financua nga Bashkimi Europian dhe kishte një kohëzgjatje 5-vjeçare, ku përveç vaksinimit ka pasur në kuadër edhe trajnimin e veterinerëve. Faza e dytë e projektit PAZA të financuar nga BE do të nisë në janar 2014. Projekti pritet të vijojë me luftën kundër brucelozës tek bagëtitë e imta.