Opozita “kryqëzon” Gjoshën, Bregu: Po heq nga puna ekspertët e trajnuar nga BE
Komisioni për Integrimin ka zhvilluar sot një seancë dëgjimore me Ministren e Integrimit, Klajda Gjosha.Mbledhja e komisionit u shoqërua me debate ku deputetja demokrate Majlinda Bregu akuzoi qeverinë për shkarkime në drejtoritë e integrimit.“Keni hequr 5 zyrtarë të lartë të akredituar pranë BE duke dëmtuar rëndë procesin. Nëse ka pasur heqje nga puna në drejtoritë e integrimit, do të kemi probleme. Shkarkimet janë sinjali i parë i arsyes së shtyrjes së ligjit për statusin e nëpunësit civil” është shprehur Bregu.Por ministrja e integrimit Klajda Gjosha është shprehur se i është bërë ristrukturim ministrisë duke theksuar se institucioni që ajo drejton është i vetmi që ka shtuar staf me 20 %, duke bërë që numri i punonjësve të shkojë nga 75 tani në 90.Sipas saj, nuk janë hequr drejtoritë e integrimit, janë ristrukturuar dhe disa zyrtarë janë ndryshuar.Më tej në fjalën e saj, ministrja Gjosha është shprehur se ministria ka bërë një analizë të detajuar të progresit të raportit të Komisionit Europian duke shtuar se do të rishikohet plani kombëtar për zbatimin e MSA.Ministrja e integrimit shtoi më tej se prioritet i institucionit që ajo drejton mbetet lufta kundër korrupsionit.