“Kurthet e Papunësisë”: Barjaba në skenarët e punësimit
Libri “Kurthet e papunësisë” i akademikut Kosta Barjaba, profesor në Universitetin Europian të Tiranës, vjen në një Adrian Civicimoment kur në Shqipëri, por dhe në botë, analizat, propozimet dhe zgjidhjet për çështjen e punësimit dhe papunësisë janë në fokus më shumë se kurrë. Eksperiencat e spikatura mësimdhënëse të autorit në nivel ndërkombëtar, të ndërthurura me përvojën e gjatë në punën dhe kërkimin shkencor në Shqipëri pasqyrohen më së miri në trajtimin e mjaft çështjeve që kanë mbajtur të mbërthyer si në kurth politikat për krijimin e vendeve të punës në Shqipëri, si informaliteti në tregun e punës, puna legale dhe ilegale, mbrojtja shoqërore, sigurimet shëndetësore, dilemat e shërbimeve publike të punësimit etj. Duhet të kesh dijet e gjera dhe përvojat konkrete të Kosta Barjabës, për të qenë i sigurt e bindës në këto lloj analizash, konkluzionesh e rekomandimesh. Midis tyre përfshihen mënyrat eficiente të hapjes së vendeve të reja të punës dhe trajtohet, me guxim dhe kompetencë profesionale, debati më i madh që ekziston aktualisht në Shqipëri: kemi apo nuk kemi një milion të papunë? Por akoma më shumë, si do punësohen këta një milion të papunë? Kjo pyetje “Një milion dollarëshe” merr përgjigje në këtë libër. Duke i dhënë shumë domethënie edhe asaj çka shprehet që në titull “Kurtheve të papunësisë”! Si një prej protagonistëve kryesorë të debatit publik mbi nivelin e papunësisë në Shqipëri, autori paraqet vizionin e tij për sfidën më të madhe të qeverisjes: hapjen e vendeve të reja të punës. Duke qenë një ndër vulnerabilitetet më të ndjeshme të modelit ekonomik që ka ndjekur vendi, hapja e vendeve të punës duhet të jetë një nga përmasat më të qenësishme të modelit të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Ky libër i kolegut Barjaba na rikujton për këtë prioritet.Me përjashtim të pak ekspertëve të fushës, teoritë moderne rreth papunësisë nuk janë të njohura për publikun e gjerë në Shqipëri. Por mbi të gjitha, nuk janë të njohura për vendimmarrësit dhe institucionet që çështjet e papunësisë i kanë në misionin e tyre, në fokus të angazhimeve e sfidave që përballojnë. Prandaj analiza që autori u bën formave të papunësisë dhe teorive kryesore ekonomike e sociale që i analizojnë dhe i shpjegojnë ato, është ndër pjesët më interesante të librit. Në këtë këndvështrim, libri “Kurthet e papunësisë” mund të konsiderohet pa hezitim edhe si një kontribut real dhe i mirëpritur në lëmin e shpjegimit teorik bashkëkohor të formave të papunësisë. Është kënaqësi për çdo lexues të lundrojë faqeve të librit në shpjegimet për papunësinë klasike, ciklike, strukturore, friksionale, të fshehtë, vullnetare, ndeshëse etj. Të përpiqet t’i japë një përgjigje, ndoshta njërës nga pyetjeve më tunduese e të vjetër sa vetë shkenca ekonomike: a është i mundur punësimi i plotë? Të përpiqet të japë një shpjegim dhe për rastin e Shqipërisë: me cilin lloj të papunësisë ndeshemi më shumë? Papunësi klasike, papunësi keynesianiste, papunësi vullnetare apo papunësi të fshehtë? Vetëm një përgjigje e saktë në këtë aspekt mund të garantojë se politikat tona për reduktimin e papunësisë mund të jenë efektive e reale. Në rast të kundërt, çdo gjë kthehet në amatorizëm e populizëm pa vlerë. Dhe përgjigjen e mjaft prej këtyre pyetjeve kolegu ynë Kosta Barjaba na e ka dhënë të qartë në këtë libër. Në panoramën e librit nuk mungon dhe këndvështrimi global, qëndrimi dhe efektet në punësim tek dy modelet e mëdha të shoqërisë pasindustriale: kapitalizmit dhe socializmit.Përtej trajtimeve me natyrë të përgjithshme apo teorike, autori merr pjesë direkt dhe aktivisht në analizën e disa “paradokseve” të realitetit shqiptar në këtë periudhë tranzicioni në lidhje me punësimin. Pse në Shqipëri nuk ka pasur një lidhje të drejtë ndërmjet rritjes ekonomike dhe punësimit në sensin që rritja ekonomike nuk ka prodhuar punësimin e pritshëm? Si ta shpjegojmë në mënyrë bindëse asimetrinë aspak tipike ndërmjet rritjes ekonomike dhe punësimit, që duket se po kthehet në nyjen gordiane të politikave tona ekonomike e sociale? Përse në Shqipëri flitet më shumë për ulje të papunësisë sesa për rritje të punësimit? Përse vazhdojmë t’i kthejmë gjithmonë sytë nga Shteti kur është fjala për krijimin e vendeve të reja të punës? Krahas shqetësimeve për menaxhimin e situatës së borxheve publike apo nxitjen e rritjes ekonomike, papunësia përbën sfidën më të madhe për ekonomitë, qeveritë dhe shoqërinë e sotme. Si ta përballojmë atë? Nga shkaktohet më së shumti papunësia? A kemi gjetur sistemet më të mira të punësimit dhe reduktimit të papunësisë? Është tregues i përkohshëm, i lidhur me ciklin ekonomik dhe krizën globale, apo një fenomen gjithnjë e më strukturor për një kategori ekonomish e vendesh të caktuara? A ka një formulë globale për luftën kundër papunësisë? A mund të kopjohen përvojat e të tjerëve në këtë aspekt? Po Shqipëria si duhet të përballet me këtë sfidë? Pyetje të tilla e gjejnë veten në gjithë faqet e këtij libri, në një përpjekje të lavdërueshme që shoqërohet me përgjigje e sugjerime të mundshme për zgjidhjen e tyre. E them me bindje se “Kurthet e papunësisë” përbën, përveçse një sukses për autorin, edhe një vlerë të shtuar për bibliotekën e ekonomistëve dhe studiuesve të shkencave sociale.Burimi : Mapo.al