Rama lë Kryeministrinë pas dy orësh, vijon protesta e qytetarëve

Nuk ka mjaftuar as apeli i protestuesve dhe as ai i liderit të opozitës Lulzim Basha për të patur një përgjigje të prerë nga Kryeministri Edi Rama mbrëmjen e sotme lidhur me armët kimike. Shefi i qeverisë shqiptare pas 2 orë qëndrimi në Kryeministri pas kthimit nga vizita zyrtare në Mal të Zi ka lënë ambjentet e Kryeministrisë i shoqëruar edhe nga Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Në këtë mënyrë protestuesit që janë pozicionuar para Kryeministrisë dhe parlamentit që prej orës 09:00 të paradites duket se do të mbeten në shesh përgjatë gjithë natës.Organizatorët e tyre deklarojnë se nuk do të lëvizin prej andej deri në një komunikim zyrtar nga Kryeministri Rama se nuk do të ketë shkatërrim të armëve kimike në vend.“Pa marrë një vendim zyrtar nga Kryeministri do të qëndrojmë para Kryeministrisë. Jemi në errësirë informacioni nga qeveria. Është totalisht solidarizim qytetar. Kemi që në orën 09:00 që jemi para parlamentit. Do jetë një protestë maratonë deri sa të ketë një komunikim zyrtar. Ne jemi të vendosur që për kauzën tonë të drejtë të luftojmë deri në fund” tha për Ora News një prej organizatorëve.Burime brenda qeverisë Rama bëjnë me dije se Kryeministri brenda 24 orëve pritet të dalë në një konferencë për shtyp, per ti thene jo sjelljes së armëve kimike të Assad për demontim në Shqipëri.Ndërkohë që edhe parlamenti zhvilloi një seancë në një situatë të tensionuar. Opozita e cila u shpreh sot publikisht kundër mbërritjes së armëve kimike siriane këmbënguli për një interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, ndërsa dorëzoi kërkesën për organizimin e një referendumi për këtë çështje.Kryetari i parlamentit Ilir Meta i cili pati edhe një bisedë edhe me protestuesit përpara godinës së parlamentit, përsëriti disa herë se për këtë çështje nuk ka vendim nga autoritetet shqiptare dhe se çdo vendim do të duhej të kalonte më parë nga parlamenti.