Kopshti ynë me lule!
Nëse gazi “Sarin” është hedhur në ambiente të hapura, duhet të largoheni urgjentisht nga ajo hapësirë dhe ngjiteni në një pikë sa më të lartë! Kështu shkruan në literaturë! Sepse gazi “Sarin” është më i rëndë se ajri! E nëse “Sarin” është hedhur në ndonjë hapësirë të mbyllur, menjëherë dilni përjashta!E çka të bësh nëse ky helm është hedhur në një shtet të tërë? Për këtë nuk ka udhëzime! Sidoqoftë, mos kërkoni azil nëpër ambasada! Ikni, jashtë pa dokumente! Nuk ka kohë për procedura!Pa ngjyrë dhe pa erë, gazi “Sarin” përhapet shpejt dhe pahetueshëm nëpër ajër ose ujë, dhe kur absorbohet nëpërmjet lëkurës, sjell vdekjen brenda disa minutave. Asfiksia, humbje e shikimit, të vjella, konvulsione muskulare dhe së fundi ndalim zemre. Kështu shkruan në literaturë. Po kujt i hyn në punë literatura. Me këtë punë do të merren ekspertët! Më të mirët!Shumëkush mund të mendojë se diçka që nuk ka ngjyrë, shije dhe erë nuk mund të vrasë! Por ”Sarin” vret. Është një armë “lodër” të cilën duan të ia marrin nga dora diktatorit Asad! Për të mbrojtur sirianët nga vetvetja dhe ata që shkuan për të ndihmuar!Veç një pjesë e gazit me emrin “Sarin”, e planifikuar të shkatërrohet në Shqipëri, mjafton të na i zhbëjë krejt problemet tona politike dhe sociale. Të na bëjë statistikë! Të na integrojë në … Atlantidë! Do të shkruhet pastaj nëpër enciklopedi se na ishte njëherë një Shqipëri …!Kështu, shqiponjat më nuk do të fluturojnë mbi “Qemal Stafa”! As Salua dhe Edi nuk do të grinden më në Parlament! As Iliri nuk do të vendosë për (o)pozitën!A nuk tingëllon apokaliptike?! Mund të jetë, edhe realitet nëse dështon faktori njeri. Kjo ndër ne nuk mund të ndodhë, natyrisht! Të gjitha mund të dështojnë, por jo faktori njeri! Eh, e dija se opozita do të përmendte Gërdecin! Njëherë na ndodhi, do të thonë ata! I kishim marrë të gjitha masat! Edhe ekspertët më të mirë po merreshin me atë punë!Por, në rast rreziqesh këta që marrin vendime do të ikin me helikopter, qoftë civil apo ushtarak! Do të pësonin vetëm shqiponjat që fluturojnë ultë! Ato do të çrregulloheshin mentalisht dhe do të fillonin valle të tjera që nuk janë të shqiponjave! Mbase të korbave që krrokatin mbi bjeshkë!Do të pasonte një ikje e përgjithshme sikur atëherë kur ra komunizmi! Se, komunizmin e patëm çuar deri në mal! Ashtu ishte direktiva! Por, malësorët nuk e duruan komunizmin! Ikën dhe u mbyllën në ambasada. Pastaj ikën jashtë nëpër anijet që po mbyteshin!Si e dimë tashmë nga analizat e jashtme, anijet tona nuk u mbytën nga akullnajat, as nuk po vallëzohej nëpër to derisa po fundoseshin! Ato i mbyti pesha e të ikurve! Pesha e idealeve dhe e zhgënjimit. Por, lëre fare! Tash janë kohë të tjera! Nuk ka vend për panikë! “Titaniku” ishte vetëm një ngjarje që koincidoi me lindjen e Shqipërisë! Shqipëria, ky kopsht të cilin shoku “E” do të mbjellë me lule!Situata është larg apokaliptikës. Gjendja është nën kontroll, na siguron politika! Pastaj kemi edhe obligime ndaj partnerëve!Ka qëllimkëqinjë që thonë se Shqipëria nuk ka kapacitete? A ka ende të atillë në glob që dyshojnë në kapacitetet tona (vetë)shkatërruese? Çka janë 1000 tonë armë kimike? Dyshime ofenduese! Ne, kemi dhënë prova! E kemi shkatërruar për tri ditë një shtet gati njëqindvjeçarë! Pastaj, Gërdeci! Nuk ndodhë më!Ne kemi edhe kapacitete lobuese. Me qindra shqiptarë kanë shkuar tashmë atje me armë në dorë. Në Siri! Se mos na e grabitë kush tenderin. Dikur quhej internacionalizëm proletarë dhe ngjarja zhvillohej në Spanjë! Tash quhet vëllazëri!Në ndërkohë, armiqtë tonë ambientalistë, vendorë dhe ndërkombëtarë janë bashkuar! Po bëjnë propagandë “anti”! Për dallim prej politikës, ata po guxojnë me u thanë jo!Tash në këtë pjesë të kolumnes do të kryente punë një “Add homminem”! Pra, ata nuk e duan qeverinë! Ata janë tradhtarë! Ata nuk e kanë për ekologji, ata duan të na prishin me miqtë tonë! Pastaj, ku kuptojnë ata strategjitë globale apo (a)nacionale!Siç e dini, Shqipëria është anëtare e NATO-s! Në mbledhje të rëndësishme nuk e thirrin, se kishte rrjedhje informacioni! Por kjo s’ka rëndësi! Qeveria garanton se nuk do të ketë rrjedhje të helmeve! Kjo është me rëndësi!Na morën në qafë, tradhtarët! Ne kemi shumë tradhtarë në radhët tona! Disa quhen ekolog, ambientalistë e disa janë me emra të ngjashëm greko-latinë! S’ka asgjë vëllazërore aty, kryeministër! Mos na lerë pa helme nga Siria! Nëse na i marrin këto, i gjej kudo tjetër! Shqipëria duhet të njihet ndërkombëtarisht si një recycle bin! Sikur ajo ikona në desktopin tonë! Besimi nuk fitohet lehtë!Zoti e di se kush ishte ai i uruar që u kujtua se për ekonominë e brishtë shqiptare ka vetëm një shpëtim. Armët kimike nga Siria! Kështu, apeloj te Liga Arabe që kyrqysh mos të na anashkalojnë. Le të kujtojnë lidhjet shekullore me vendin tonë! Aman, keni besim te ne! Në bjeshkët tona të larta dhe krenare ka vend sa të doni! Pastaj, kemi miniera! Apo ka pak shpella?! Aty ku u vra Bajram Curri për shembull!Por, nuk janë vetëm armiqtë, pengesë! Ka vërejtje se Shqipëria është e vogël. Kjo mundet me e rrezikue projektin. Pasojat e autostradës së kombit ishin katastrofike për Shqipërinë! E kanë zvogluar vendin. Dikur udhëtonim 12 -15 orë nëpër një rrugë, të cilën tash e kalojmë për dy orë. Kjo ka sjellë ndryshime edhe në ideologji. “Sa e madhe është Shqipëria” më nuk tingëllon bindshëm, përpos nëse nuk jeni duke vozitur rrugës prej Korçe për në Sarandë. Pra, Shqipëria është bërë krejt e vogël! Kjo në gjeopolitikën e re, ka dizavantazhet e veta. Përparësi ka Rusia, Alaska! Madje edhe Kanadaja! Pastaj polet! Atje ka hapësira të pafundme ku mund të shkatërrojë pa pasoja armët kimike të Sirisë. Madje të të gjithë globit! Pasojat mund të i ndiejnë ndoshta vetëm arinjtë polarë.Megjithatë, është punë që duhet menduar! Mos harroni se ky projekt mund të ringjallë ekonominë shqiptare. Turizmi do të merrte një intravenoz këndellës. Paramendojeni efektin e menjëhershëm që do të kishte për turizmin. Nga e gjithë bota njerëzit do të niseshin të vinin këndej pari për të përjetuar kënaqësinë e rrezikut, se shoqëria perëndimore e cila ka paratë, vdes nga monotonia. Kështu do të vinin të lahen në plazhet tashmë të zhvirgjëruara shqiptare, të parfumosura me aromën e rrezikut. Paramendojeni një turist i cili del në dritare dhe shtriqet i lumtur që mund të ndiej aq pranë rrezikun dhe të jetë i sigurt njëkohësisht. Nga dritarja mund të shohë prokurorë që fluturojnë dhe të prekë mitin për Lazaratin!Pastaj …ky është veç fillimi! Shumica e diktatorëve në botë kishin frikë nga qytetarët e vet. Prandaj kishin rezerva të mëdha të armëve kimike! Është biznes i pashtershëm!Sidoqoftë, vendimin do e marrë shoku “E”! Të gjitha diskutimet publike, e dëmtojnë të ardhmen tonë europiane! Heshtje, miq, heshtje! Heshtje se shoku “E” po mendon! Pasi i ka vizituar ambasadat, ai do të marrë një vendim të cilin shoqëria demokratike shqiptare duhet me unanimitet me e aprovue! Po të kundërshtosh, e dëmton çështjen (ndër)kombëtare!Të flasësh apo të mos flasësh, kjo është çështja?!As që bëhet fjalë! Këtu nuk ka fare, çështje! Shshshsht!Burimi : gazeta-shqip.com