Gjosha, Sheehan: Integrimi kërkon dialog me opozitën

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, priti sot në një takim ambasadorin e Irlandës rezident në Athinë, Charles Sheehan. Kjo vizitë përkoi me një tryezë mjaft të rëndësishme e cila u mbajt paradite, ku u lançua nisja e dialogut të nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Gjosha, e njohu ambasadorin me vlerësimet e bëra nga Komsioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle pas kësaj tryeze.“Jemi entuziastë për përgëzimet që morëm sot në tryezën që ishte fillesa e dialogut të nivelit të lartë me BE-në, por gjithashtu jemi të vetëdijshëm se kemi ende shumë punë për të bërë dhe se marrja e statusit të vendit kandidat në dhjetor, për Shqipërinë është vetëm një hap përpara në procesin e integrimit evropian”, tha Gjosha.Ambasadori irlandez, vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe theksoi se duhet të respektohet vendimi i vendeve anëtare në dhjetor. Ministrja Gjosha e informoi ambasadorin në lidhje me planin konkret të masave që po ndërmerren nga qeveria si dhe theksoi se ka nisur tashmë turi i takimeve me përfaqësues të lartë të vendeve anëtare të BE, për të ndryshuar imazhin e Shqipërisë, duke dëshmuar punën e bërë deri tani dhe vizionin e qeverisë së re.Sheehan, theksoi se është i rëndësishëm dialogu me opozitën në këtë proçes. Ministrja e Integrimit theksoi se kreu i ri i parlamentit po ndikon maksimalisht në nxitjen e një fryme të re dialogu me opozitën në parlament dhe kjo është garanci e rëndësishme për vullnetin pozitiv që tregohet në këtë drejtim.