Oportunizëm Tragji-Komik

Ka tri arsye – të cilat mund të ekzistojnë në të njëjtën kohë – se përse qeveria shqiptare po konsideron në mënyrë kaq sekrete mundësinë e pranimit të armëve kimike siriane: a) sepse ndihet nën presion, b) sepse mendon se ka përfitime për vendin nga ky akt, dhe c) ka përfitime personale për politikanët e përfshirë. Në fjalimin e tij para Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura në datën 11 nëntor, Kryeministri Rama foli se marrëdhënia jonë me SHBA-në është gjëja më e rëndësishme për ne, si dhe mbi rëndësinë e të qenët një shtet parimor dhe pjesëmarrës në arenën ndërkombëtare. Përveçse një paralajmërim – pasi ç’mund të jetë tjetër veçse një përgatitje terreni ky fjalim – ai tregon gjithashtu se qeveria shqiptare ka vendosur të japë arsyen e dytë (një përfitim për vendin) si shtysë për vendimmarrjen e saj të afërt. Qartazi, dy të tjerat nuk mund të pranohen haptazi nga qeveria, pasi e tregojnë atë të dobët dhe të korruptuar. Realisht, të tria janë të mundshme, të tria janë të papranueshme, por vetëm e treta është e logjikshme.Në një artikull të botuar në “National Journal” në datën 30 tetor thuhet se pas refuzimit të Norvegjisë, Shqipëria dhe Belgjika janë të vetmet vende të cilat po konsiderojnë të pranojnë armët. Ndër to, Shqipëria është më e mundshmja pasi, sipas intervistave me negociatorët amerikanë në krye të bisedimeve me qeverinë tonë, ajo është jo thjesht e interesuar, por edhe e entuziazmuar mbi këtë mundësi. Po. E entuziazmuar. S’është e habitshme të imagjinosh se, për sa i përket qeverisë së tanishme, kjo mund të duket si një mundësi për t’u ulur në tavolinë me “të fortët”, për t’u marrë “seriozisht”, për të qenë të paktën një herë “të rëndësishëm” si vend si dhe, instrumentalisht, për të siguruar një mbështetje më afatgjatë nga “partnerët” tanë qoftë financiarisht, qoftë si votë besimi për pranimin tonë në BE nga ato vende europiane që shpresojnë të na hedhin përgjegjësinë e asgjësimit të mbetjeve.Norvegjia refuzoi ofertën për arsye se ligjet e saj jo vetëm që nuk lejojnë shkatërrimin e armëve dhe strehimin e produkteve të mbetura nga ky shkatërrim, por edhe për arsye se koha për t’u përgatitur për armët (duhet të hiqen të gjitha nga Siria brenda marsit 2014) është tepër e shkurtër për të siguruar një proces të sigurt. Të mos harrojmë se Norvegjia jep më shumë ndihma për frymë, dërgon më shumë trupa paqeruajtës, dhe pranon më shumë azilkërkues se çdo shtet tjetër në botë. Ndaj, nëse ka shembull për një shtet parimor në botë ai është Norvegjia dhe prapë ajo tha jo.Ndërkohë, Belgjika nuk ka dhënë akoma përgjigje përfundimtare, por ka shprehur shumë rezerva. Belgjika ka eksperiencë në shkatërrimin e lëndëve toksike të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore, por deri pesë vjet më parë, mijëra tonelata të këtyre lëndëve të shkatërruara ishin thjesht të përhapura në disa fusha që nuk mund të përdoren më për bujqësi apo banim për disa shekuj. Ky rast duhet të shërbejë si një paralajmërim për qeverinë tonë, e cila nuk ka një kapacitet të krahasueshëm me Belgjikën.I gjithë ky proces ofertë-bisedim ka qenë tepër sekret. Flasim për mbi 1000 tonë armë kimike dhe mënyra e shkatërrimit të tyre është fare e paqartë. A mund të transportohen me siguri këto armë brenda vendit, qoftë për shkak të infrastrukturës, qoftë për mungesë aftësie për t’i mbrojtur ato? A ka kohë mjaftueshëm për ndërtimin e laboratorëve të cilët të jenë të sigurt se nuk përhapin gaz toksik në natyrë (nuk është bërë asnjëherë diçka e tillë në këto përmasa)? Nëse ndërtohen laboratorët në kohë, sa do të zgjasë procesi? A do ketë mjaftueshëm ekspertë? Pasi të shkatërrohen armët, cilat janë kushtet në të cilat duhen siguruar produktet? Sa vite duan të ndërtohen? A sigurohet që nuk do ketë rrjedha nënujore? Gjatë gjithë këtyre proceseve, kush do të sigurojë se asgjë nuk do të vidhet dhe shitet në tregun e zi? Policia jonë s’po futet dot në Lazarat, ka guxim qeveria të pretendojë aftësi në sigurimin e këtyre armëve?Përderisa asnjërës nga këto pyetje nuk mund t’i përgjigjemi pozitivisht, është absurde që qeveria ta konsiderojë seriozisht këtë “ofertë” të SHBA-së. Por nëse ndihet nën presion të huaj, qeveria fare mirë mund të përgjigjet se pa garanci konkrete në të gjitha pikat e mësipërme (të cilat janë të pamundura), është e pamundur për Shqipërinë të pranojë armët siriane. Duke shtuar edhe faktin se qeveria “Rama” ndaloi importin e mbetjeve vetëm pak javë më parë, dhe se mundësia e pranimit të armëve ka krijuar një opozitë të fortë qytetare, qeveria mund të dalë nga kjo situatë si një partner i mirë, por që i ka duart e lidhura nga kushtet, ligjet dhe popullsia të cilën përfaqëson.Nëse qeveria mendon se kjo do t’i ngrejë statusin në arenën ndërkombëtare, ajo mund të ketë pak të drejtë në lidhje me faktin se SHBA mund të jetë pak më e prirur për t’i qëndruar pranë (them pak, pasi varet nga interesat e saj) dhe se vendet e Europës mund të tregohen përkohësisht më tolerantë si shkëmbim favoresh. Por, po të shohim në afat më të gjatë, me Europën do rrezikojë gjithashtu shumë nëse ka probleme gjatë shkatërrimit të armëve—gjë që është më e mundshmja. Paaftësia për të siguruar ato do vlejë më tepër sesa “zemërgjerësia” e Shqipërisë për t’i pranuar ato. Dhe, për sa i përket imazhit të Shqipërisë si një vend i rëndësishëm në sytë e njerëzve jashtë, mjafton t’u hedhësh një sy artikujve të shkruar mbi këtë temë për të kuptuar se sa tragji-komike duket sjellja e qeverisë. Nuk është aspak heroike, por e paaftë dhe patetike në konsideratën e saj për diçka që është plotësisht jashtë kapaciteteve.Të mos harrojmë gjithashtu se, në çdo luftë, për njerëz të caktuar ka shumë mundësi për të përfituar ndjeshëm. Nuk mund ta dimë konkretisht se sa do kushtojë apo sa do të financohet qeveria shqiptare për këtë bëmë, por duhet të jemi të sigurt se duke qenë vendi i vetëm mjaftueshëm i çmendur për ta diskutuar këtë ofertë, po flasim për shuma të mëdha. Është e mundshme që qeveria të jetë në proces të negocimit të një pakete që normalisht mund të ishte në të mirë të vendit (financim dhe ekspertizë për reforma të nevojshme), por që ndihma të tilla ndaj qeverive që kanë akoma problem të madh me korrupsionin kanë efekt të kundërt. Prandaj, edhe nëse ka qëllim për t’i përdorur pozitivisht këto ndihma të mundshme, mundësia e abuzimit të tyre dhe numri i personave të cilët presin të përfitojnë është tepër shqetësues. Jo më kot politika është përgjithësisht gojëkyçur mbi këtë çështje, me përjashtim të disave të cilët nuk mund të përfitojnë financiarisht, por po marrin rastin t’i bashkohen protestave popullore për të shtuar kapital politik.Nëse qeveria pranon ofertën për dy arsyet e para – presion të jashtëm apo nga besimi se ky akt sjell përfitime për vendin – kjo do të thotë thjesht se është tërësisht e paaftë për të luajtur një lojë politike. Këto argumente janë të palogjikshme në kushtet konkrete. Është ironike se ka argumente – përfshi dhe nga ambasadori amerikan – që sugjerojnëse për t’u dukur si një lojtar i mirë në arenën botërore, duhet të shtypësh interesat e vendit tënd. Nëse Rama do të rregullojë imazhin e Shqipërisë, e vetmja gjë që duhet të bëjë është të qëndrojë në krah popullit: në fund të fundit, është e vetmja gjë qe s’e ka provuar ndonjëherë asnjë politikan shqiptar gjatë gjithë këtyre viteve të “demokracisë”. Mungesa e një shteti është pikërisht ajo që na ka prishur ‘imazhin’ dhe vetëm ndërtimi i tij e rregullon atë dhe jo këto aventurat për konsum të jashtëm, të cilat na bëjnë të dukemi qesharak ndërkombëtarisht.Por, nga ana tjetër, nëse qeveria e pranon ofertën për të tretën arsye – përfitime personale – atëherë kemi të bëjmë me të njëjtin monstër kleptokratik që na ka nënshtruar për mbi njëzet vjet. Sa më shumë sekrete të vazhdojnë të mbahen këto bisedime, aq më e mundshme duket kjo mundësi dhe aq më tragjikë skenarët që do të vijojnë.Burimi : gazeta-shqip.com