Armët e Assad, Mediu përjashton Mjekësin.Qeveria të bëjë tranparencën

Ndërsa uzina e Mjekësit në Elbasan mendohet të jetë dhe pritësja e armëve kimike të Assad, për ti shkatërruar më pas, ish-Ministri i Mjedisit Fatmir Mediu e quan absurd këtë diskutim. Sipas tij në të tilla proçese distanca nga qëndrat e banuara duhet të jetë shumë e madhe dhe Mjekësi bën përjashtim. Në Ora Live, Mediu tha se qeveria ka obligimin të bëjë transparencën për publikun dhe opozitën për çështje të tilla të një rëndësie të veçantë. Madje ai ka kërkuar që fillimisht të merret opinioni i ekspertëve të fushës dhe mbi atë logjikë pastaj të ecet me negociatat.“Sot kam dëgjuar dhe prononcimin e kryeministrit Rama rreth kësaj çështje që thotë që kemi diskutim të mbyllur me aleatët tanë për këtë çështje, biles jemi krenar që e bëjmë këtë diskutim. Në momente të rëndësishme për vendin, kur nuk përfaqësojmë thjesht vetëm interesin politik si qeveritarë, por më të gjerë, duhet të kemi një vendimarrje në gjykim paraprak, edhe në faza të tjera të negociimit të kemi njohuri të plotë në mënyrë që mos të kemi fraksionime as të shoqërisë dhe as politikës në vendimet përfundimtare. Këto nuk janë çështje personale dhe as kofidenciale, janë çështje të një rëndësie të veçantë. Nga pikëpamja politike është domosdoshmëri të kemi një frymë të përbashkët të qasjes karshi këtyre problemeve. Duhet të kemi transparencë maksimale në diskutimet dhe marrëdhëniet që krijojmë. Informimi i opinionit publik është domosdoshmëri, sidomos për probleme që lidhen me mjedisin. Në rastin konkret kanë dhe një detyrim tjetër të konsultimit me fqinjët, çdo investim,element që sjell efekte mjedisore në vendet fqinjë duhet patjetër të diskutohet dhe me fqinjët tanë. Ne duhet të shikojmë të gjithë serinë e problematikës, e para ligjet tona e lejojnë apo nuk e lejojnë. Jemi pjesë e Konventës kundër armëve kimike, që nuk na lejojnë të importojmë armë kimike. E dyta edhe ligji për menaxhimin e mbetjeve çështjet sa i përkes sigurisë dhe FA i lë në trajtim të ligjeve të veçanta. Ajo që mbetet në fund të fundit është një import për të shkatërr uar mbetjet e industrisë së Assadit. Duhet parë se kujt legjislacion i referohemi, duhet ta shikojmë dhe pastaj të themi kemi hapësirë ligjore apo jo. Asnjë qeveri s’mund të bëjë asnjë negociatë në kundërshtim me ligjin. Elementi i dytë dhe shumë i rëndësishëm është siguria, nuk ka asnjë risk zero. Kaa dhe elementë të tjerë të një rreziku të shtuar. Këto armë kimike nëse bien në duar të gabuara kush do të jetë problemi i Shqipërisë? Shqipëria është shumë larg për ti analizuar dhe dalë në konludime sesa e aftë është ti menaxhojë vetë situata të tilla. Duke pasur parasysh këto proçese distanca nga qëndrat e banuara duhet të jetë shumë e madhe. Le të thonë se ku, kam parë diskutimet për Mjekësin, është absurde të mendohet. Prandaj duhet të bëhet transparencë, para se të kemi një qëndrim politik ekspertët e fushës duhet të shprehin opinionin e tyre të bazuar logjik dhe mbi këtë logjikë bëhen pastaj negociatat” tha ai.Heshtja e qeverisë përballë bombardimit me informacion nga mediat ndërkombëtare ka krijuar një efekt negativ për këtë çështje, thotë Mediu, ndërsa vlerësoi se është e domosdoshme që Presidenti të thërrasë Këshillin Kombëtar të Sigurisë për diskutime.“Media ndërkombëtare ka krijuar një efekt jo shumë pozitiv për këtë çështje. Po mos të ishte pyetur Ministri i Jashtëm s’do kishim pasë idenë që Kryeministri kishte pasur një bisedë me sekretarin amerikan. Duhet të dimë limitet e veprimit tonë personal dhe atyre që janë të detyrueshme për tu diskutuar në qeveri apo parlament. Opozita ka qenë shumë e matur, ne kemi kërkuar transparencë të plotë nga qeveria për këtë proçes, përmes diskutimeve institucionale me opozitën. Kjo opozitë e sotme bëri sot që Rama të flasë në emër të NATO-s, se ka pasur ndonjëherë në axhendë ai. Sa më të unifikuar të jemi në qëndrime, sa më largpamës të jemi për interesat e qytetarëve tanë aq më vlerë do kemi ne në këto institucione. Si qëndrimi i zotit. Berisha dhe kolegëve të tjerë janë në nivelin e një shqetësimi të drejtë, se në çfazë jemi dhe çfarë vendimesh duhet të marrim. Edhe Kushtetuta ka parashikuar që vendimarrje të rëndësisë së tillë kanë institucione të cilat duhet ti diskutojnë. Këshilli i Sigurisë Kombëtare është një nga institucionet që patjetër duhet të analizojë çdo negociatë, pasi dhe nëse ka një negociatë të dështuar përgjegjësia nuk është e një individi që është Kryeministri, flasim për raporte mes shtetesh. Mbledhja e Këshillit nga ana e Presidentit është i domosdoshëm. Diskutime duhet të ketë edhe në Komisonet përkatëse parlamentare” theksoi Mediu.Ish-numri një i Mbrojtjes sjell edhe eksperiencën e demontimit të armëve luftarake të periudhës së komunizmit në vendin tonë, proçes në të cilin Forcat tona të Armatosura kishin vetëm detyrën e sigurisë së ambjentit. Edhe pse Ambasadori amerikan në një deklaratë të tij tha se Shqipëria ka detyrime si vend anëtar i NATO-s, Mediu thekson që jo vetëm nuk kemi asnjë detyrim, por përjashton dhe mundësinë se ka një vendimarrje të NATO-s se ku do ta delegojë autoritetin për shkatërrimin e armëve kimike.“Ajo që unë mendoj nga përvoja ime, ajo që unë njoh si ish-Ministër Mbrojtje me të mirat dhe të këqia e kësaj ekperience, iniciativa për shkatërrimin e lëndëve luftarake në Shqipëri, një proçes që u krye në Qafë Mollë, gjithë proçesi u krye në mbështetje nga SHBA, me një teknologji dhe ekspertizë teknike gjermane dhe u finalizua prej tyre. Ne si FA në atë kohë kemi pasur vetëm detyrën e sigurisë së ambjentit. Atëherë ne bëmë një gjë, që ishte interes i vendit tonë sepse rreziku i lëndëve helmuese luftarake, potenciali i tyre ishte jashtëzakonisht problematik për qytetarët shqiptarë, sidomos nëse bien në duar të gabuara. Elementi shoqërues i saj është, të gjitha mbetjet që mbesin nga këto proçese kërkojnë trajtim specifik dhe ky trajtim bëhet ose në landfille që trajtojnë mbetjet e rrezikshme ose në praktikat tona ne i kemi eksportuar në vendet që kanë teknologji ose mundësi përfundimtare për trajtimin e tyre se në Shqipëri nuk ka. Ne në trajtim të mbetjeve me problematikë kimike kemi dy raste, në ish-zonën e fabrikës kimike të Durrësit në Porto Romano ku kemi bërë inkapsulimin e mbetjeve dhe në zonën e Rrëshenit në ish-fabrikën e bakrit. Pyetja e thjeshtë është pse Shqipëria? Të qënit vend anëtar i NATO-s nuk na jep asnjëlloj detyrimi. Detyrimet ne i marrim vetë, edhe në misionet paqëruajtëse Shqipëria s’ka detyrim për të marrë pjesë nëse nuk ka kapacitete dhe nivele operacionale për të marrë pjesë. Vend anëtar i NATO-s do të thotë që të kesh përgjegjshmëri të një vendimarrje politike dhe në bazë të kapaciteteve dhe mundësive që ke të japësh kontributin tënd dhe këtë kemi bërë në mënyrë të vazhdueshme, duke treguar një partneritet shumë serioz. Unë nuk mendoj se ka një vendimarrje të NATO-s se ku do ta delegojë këtë autoritet për shkatërrimin e armëve kimike” përfundoi Mediu.