Blerja e votave nga PS në Korçë, Basha “ankohet” për veprimet e Ramës te Arvizu
Ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu është takuar sot me kreun e opozitës Lulzim Basha.Takimi që ka zgjatur për rreth 1 orë në selinë e Partisë Demokratike ka pasur si kryefjalë zgjedhjet në Korçë dhe shqetësimin e opozitës për blerjen e votës.Në një prononcim për mediat pas takimit, kreu i PD-së Lulzim Basha ka deklaruar se i ka shprehur ambasadorit Arvizu shqetësimin e opozitës dhe të mbarë qytetarëve për sulmin e paprecedentë e votës në Korçë."Tema për të cilën diskutova me Ambasadorin Arvizu është edhe shqetësimi numër një i qytetarëve shqiptarë, sot dhe qytetarëve shqiptarë nesër, dhe kjo është sulmi i paprecedentë ndaj votës së lirë në Korçë, cënimi i themeleve të demokracisë. E njoha me këtë shqetësim që vjen pas shqetësimeve të ngritura në raport me shkeljet ndaj Kushtetutës, shkelmimin e shtetit ligjor dhe sjelljen antiligjore të maxhorancës në të gjitha drejtimet veçanërisht ndaj institucioneve të pavarura, emërimeve të paligjshme kryesisht në Policinë e Shtetit, dhe në strukturat e tjera të shtetit. E njoha edhe me kursin ligjor dhe institucional që opozita ka nisur dhe po vazhdon si dhe me vendosmërinë tonë për të mos u dorëzuar dhe për të mos dorëzuar kauzën e demokracisë, shtetit ligjor, askujt që synon t’i zhbëjë këto arritje të patjetërsueshme të çdo shqiptari. Këto ishte tema e diskutimit dhe me këtë rast e informova ambasadorin me qëndrimin tonë si opozitë si dhe për hapat që kemi ndërmarrë dhe për ato që do të ndërmarrim” tha Basha.Ndërsa ambasadori Arvizu u shpreh se ka marrë detaje nga kreu I opozitës në lidhje me shqetësimet e opozitës."Kemi marrë detaje për të gjitha shqetësimet e opozitës. Unë do ta diskutoj këtë çështje edhe me kolegët e mi. E falenderoj zoti Basha që më dha mundësinë për tu njohur me shqetësimet e opozitës" tha ambasadori.