Armët kimike, pas deklaratave në Shkodër, Arvizu takim me Ramën në Kryeministri

Kreu i prezencës së SHBA, Aleksandër Arvizu, i është drejtuar mbrëmjen e sotme Kryeministrisë ku ka zhvilluar një takim me kryeministrin, Edi Rama. Takimi vjen pas deklaratave të Arvizu në Shkodër për armët kimike siriane, ku për herë të parë ai foli për mundësine asgjësimit të tyre në Shqipëri.“Së pari me lejoni të them se Shtetet e Bashkuara janë shumë vlerësuese dhe mirënjohëse për pozitën e fortë që ka marrë qeveria e Shqipërisë për rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB 2218, dhe për programin e eleminimit të armëve kimike të Sirisë. U përket të gjitha kombeve përgjegjëse, sigurisht në këtë grup përfshi edhe Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë, që të gjejnë mënyrë efektive dhe brenda kohës, në mënyrë që të mund të punojmë së bashku në mënyrë bashkëpunuese për të eleminuar kërcënimin, i cili krijohet prej programit të armëve kimike të Sirisë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria janë anëtare krenare të NATO-s, dhe vetëm 26 kombe të tjera kanë të njëjtin status. Dhe vërtet shpresojmë që rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian do të vazhdojë dhe duke punuar së bashku me Shqipërinë dhe me partnerë të tjerë të përgjegjshëm ne po shohim te të gjithë partnerët ndërkombëtarë të përgjegjshëm, në mënyrë që të shikojmë për mënyra për të kontribuar, qoftë kjo në formën e pajisjeve të specializuara, personelit të specializuar, ekspertizë, asistencë financiare ose me burime, të gjitha këto për t’u marrë me këtë kërcënim ndërkombëtar që shkaktohet nga programi i armëve kimike të Sirisë”, tha ambasadori Arvizu.Prestigjozja Foreign Policy në një artikull të saj është shprehur se Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara janë shumë afër marrëveshjes, duke cituar dy diplomatë të OKB-së. Nga ana tjetër qeveria shqiptare thekson se ende nuk ka një vendim përfundimtar për këtë çështje.