Bylykbashi: Korrupsioni politik, kërcënim për zgjedhjet e ardhshme vendore
Pjesë e aksionit politik të opozitës do të jetë edhe protesta e së hënës. Blerja e votës tashmë është një sistem, tha Bylykbashi, duke shtuar domosdoshmërinë e frenimit përmes praktikave anti-korrupsion. E në këtë drejtim edhe avancimi drejt BE, sipas tij rrit monitorimin e ndërkombëtarëve dhe ul shanset që paraja e korrupsionit të hyjë dhe të cënojë të drejtën e zgjedhjeve shqiptarë.
“Parimi është i thjeshtë “hajduti nuk mund të përfitojë nga vjedhja”. Shkelësi i ligjit nuk përfiton dot nga shkelja e ligjit. Detyrimi është që partitë të sillen në mënyrë proporcionale me të drejtat që u jep ligji.Kjo sjellje prej terroristi duke zënë peng sistemin nuk e legjitimon PS-LSI të kërkojnë ndryshimin e KQZ, por vetëm të propozojnë anëtarët. Kjo është zgjidhja për KQZ. Në aksionin tonë politik nuk është vetëm KQZ dhe kolegji zgjedhor. Ne kemi anonçuar një protestë për të hënën, përpara Kryeministrisë për të protestuar për këtë mostruozitet zgjedhor politik që ka në rrënjën e vet korrupsionin politik. Korrupsioni politik është nja nga fenomenet më të dënueshme në Europë dhe gjithë botën e qytetëruar perëndimore, kanë rënë Kryeministra që kanë qenë figura të jashtëzakonshme në politikën e Europës Perëndimore për shkak jo të provave të tilla, por pretendimesh për korrupsion politik. Korrupsioni politik është një nga fenomenet më nevative që Europa përpiqet të shtrëngojë, pikërisht në raundin e tretë të vlerësimit GRECO kishte këtë fokus, financimin e partive politike, shmangien e çdo lloj hapësire për korrupsion politik në vendet anëtare të BE. Shqipëria në 2009 mori 12 rekomandime që u përmbushën të tëra. Sot si kodi zgjedhor edhe ligji për partitë politike parashikojnë rregulla të standardeve më të larta europiane në lidhje me kontrollin e financimit. Ne këtu jemi para një fenomeni të frikshëm. Këto para janë para që vinë nga trafiqet, krimi i organizuar edhe nga korrupsioni. Sa më shumë Shqipëria shtrëngon praktikat që luftojnë korrupsionin aq më pak do ketë mundësi që paraja e korrupsionit të hyjë dhe të cënojë të drejtën e zgjedhjeve. Sa më shumë avancojmë në proçesin e BE aq më shumë ngushtohen këto hapësira, në mënyrë që ky fenomen që kërcënon zgjedhjet e 2015-2017 të reduktohet dhe të zhduket. Zhdukëm shumë probleme të mëdha gjatë 10 viteve. Për fat të keq nga një fantazëm apo hipotezë sot blerja e votës është një sistem. Dy partitë kryesore e kanë kthyer në një sistem, madje njëra çuditi shqiptarët me rezultatin në zgjedhjet e fundit. Organet e drejtësisë do ishte mirë që ti vënë fund këtij kapitulli” deklaroi Bylybashi.
Bylykbashi konstatoi se ka një reagim të fortë të opinionit publik lidhur me këtë fenomen, ndërsa i mbetet opozitës ta strukturojmë këtë indinjatë qytetare drejt një interesi të përgjithshëm, zhdukjen e korrupsionit politik nga zgjedhjet.
“Unë besoj që opinioni publik po reagon fort. Është me rëndësi që të kanalizohet. Ne do përpiqemi ta strukturojmë këtë indinjatë qytetare drejt një interesi të përgjithshëm, jo të PD, zhdukjen e korrupsionit politik nga zgjedhjet. Ai është vetëm fillimi i një qëndrimi të fortë të opozitës shqiptare, ne do përdorim të gjithë instrumentat që jo vetëm opozita, por të gjithë ata që votuan për këtë mazhorancë nuk kanë asgjë për të fituar, por vetëm do humbasin nga vullneti i tyre. Besoj dhe shumë deputetë të mazhorancës janë dakord me ne në këtë aspekt. Duhet të bëhet një prag shumë i rëndësishëm testi për politikën shqiptare në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme dhe jo të blera dhe të korruptuara nga para të çdo lloj forme. Ne do ta çojmë deri në fund që mos të kemi përsëritje të kësaj situate” u shpreh ai.