Nis rehabilitimi i rrugëve të përmbytura, Bozdo: Qeveria vazhdon të injorojë problematikën
Bashkia e Tiranës ka nisur sot shtrimin me çakull të rreth 90 rrugëve dhe rrugicave të cilat u shkatërruan tërësisht nga dalja nga shtrati i lumit të Tiranës, më 16 tetor, duke përmbytur me qindra shtëpi.Nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo, ndërsa shprehu angazhimin e Bashkisë së Tiranës, për t’u angazhuar me të gjitha mundësitë e saj në rehabilitimin e zonës dhe për t’u ardhur në ndihmë banorëve, e ka cilësuar të papërgjegjshëm dhe të turpshëm qëndrimin e qeverisë.Deklarata e Bozdos“21 ditë kanë kaluar që nga dita e përmbytjes së zonave, ku më shumë se 650 familje, 7000 banorë u prekën në mënyrë të drejtpërdrejtë nga vërshimi i lumit të Tiranës. Gjatë kësaj kohe, për fatin tonë të keq, angazhimi i qeverisë qendrore, pavarësisht apelit të Bashkisë së Tiranës edhe insitucioneve të tjera ka qenë inekzistent. Asnjë deputet, asnjë i zgjedhur vendor, asnjë anëtar i kryesisë së PS ose i deleguar tjetër nuk e ka shkelur qoftë edhe njëherë këtë zonë, qoftë edhe për të dhënë një mesazh solidariteti për banorët dhe asgjë më shumë, pa llogaritur pastaj faktin që asnjë angazhim nga qendra e emergjencave civile apo nga organet e tjera të cilat me ligj duhet të gjendeshin pranë banorëve në këtë ditë.Kryeministri Rama i cili nuk humb rastin për të komentuar përmes mediave sociale çdo ngjarje, nuk gjeti kohën të shkruante as edhe një fjali të vetme, në shenjë solidariteti njerëzor me familjet e përmbytura, sidoqoftë Bashkia e Tiranës do të kryejë punën e saj deri në fund. Sot, kemi filluar fazën e shtrimit të rrugëve, për t’i kthyer ato në një gjendje edhe më të mirë se sa para përmbytjes. Gjatë këtyre 3 javëve, parësore ka qenë pastrimi i llumrave. Ju e dini që vende-vende, llumrat arritën në lartësinë 1.80 cm. Më pas, të gjitha ndërmarrjet tona të Bashkisë, më shumë se 450 forca janë marrë me kthimin e furnizimit normal me ujë të pijshëm, në të gjitha zonat e përmbytura, me pastrimin e kanaleve të ujërave të zeza.Sot, e gjithë zona furnizohet normalisht me ujë të pijshëm dhe nuk kemi më probleme me shkarkimin e ujërave të zeza dhe pikërisht në këtë fazë, ne fillojmë shtrimin e më shumë se 87 apo 90 rrugëve dhe rrugicave të zonës me çakull, në mënyrë që t’i kthejmë ato të kalueshme dhe unë shpresoj në një gjendje edhe më të mirë nga sa ishin para përmbytjes.Angazhimi ynë për këta banorë nuk do të përfundojë këtu. Në ditët në vijim, po ashtu do të përpiqemi të sjellim sa më shumë përkrahje, ndihma dhe të shikojmë për të riparuar të gjithë ato gjëra që në vetëm tre javë nuk kemi mundur t’i çojmë deri në fund” u shpreh Bozdo.