Shkurtohen shpenzimet për transportin e zyrtarëve, Fino voton kundër
Në drejtimin e Kryetarit Ilir Meta, Kuvendi u mblodh në seancë plenare ku diskutime të shumta nga mazhoranca dhe opozita u mbanë për projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.160, datë 15.10.2009 “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë.”Në hapje të seancës plenare, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta njoftoi deputetët për mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, e cila sipas Kryetarit të Kuvendit, miratoi me mirëkuptim kalendarin 3-javor të punimeve të Kuvendit.Lidhur me vërejtjen e grupit parlamentar të PD për përfshirjen e marrëveshjes “Crown Agents”, në Kalendarin tre javor, Kryetari i Kuvendit bëri me dije se” është rënë dakord për të gjitha çështjet, përveç kësaj çështjeje, për të cilën do të shprehet në mënyrë të posaçme seanca dhe kur të vijë momenti, do të shprehet edhe opozita, edhe maxhoranca”.Gjatë fjalës së tij Kryetari i Kuvendit ndër të tjera bëri me dije :” Në mbështetje të nenit 98, pika 2 e Rregullores, njoftoj se kryetari i Grupit Parlamentar i PD-së, z. Paloka, ka depozituar një mocion për debat për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.Kjo kërkesë për debat shoqërohet me projektrezolutë. Pas diskutimit në Konferencën e Kryetarëve u ra dakord që data e zhvillimit të mocionit në seancë plenare të caktohet me mirëkuptimin e të dy kryetarëve të grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste. Për këtë do t’ju njoftojmë së shpejti”Deputetët, pasi miratuan procesverbalin e seancës së kaluar plenare, vijuan me diskutimet e gjata mbi projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.160, datë 15.10.2009 “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë”. Ky projektligj u miratua me 71 vota pro, 1 kundër, ndërsa opozita u largua nga punimet plenareMë pas séanca, vijoi me miratimin me 73 vota pro, dhe 1 kundër te projektvendimit “Për ngritjen e nënkomisionit “Për Qeverisjen Vendore” dhe 74 vota pro, asnjë kundër, të nënkomisionit “Për të drejtat e njeriut” në përbërje të Komisionit parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut”.Projektvendimi “Për shqyrtimin dhe miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për miratimin e marrëveshjes së asistencës së shërbimit doganor” u votua me 74 pro, asnjë kundër, ndërsa projektvendimi “Për disa ndryshime në vendimin nr. 48/2013 “Për caktimin e përbërjes së komisioneve të përhershme të Kuvendit" u miratua me 72 pro, një kundër .Kuvendi miraton projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.160, datë 15.10.2009 “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë”.Projektligji në fjalë, parashikon ofrimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë duke shfrytëzuar mjete në dispozicion të institucioneve, si dhe reduktimin e kostos financiare që mbart zbatimi i ligjit aktual në fuqi.Sipas ndryshimeve të propozuara nga qeveria, parashikohet eliminimi i së drejtës së përfitimit të bonusit për disa funksionarë publikë apo nëpunës civilë, të cilët për shkak të detyrave të tyre specifike sugjerohen të përdorin mjetet e transportit në dispozicion të institucionit përkatës.Gjatë diskutimeve në Seancën Plenare, deputetët e opozitës dhe mazhorancës shprehën qëndrime të ndryshme në lidhje me këtë projektligj.Në qëndrimin e tyre, deputetët e opozitës, deklaruan se projektligji i propozuar nga qeveria nuk do të sjellë kursim por rritje të shpenzimeve.Në fjalën e tij, Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, z. Edi Paloka deklaroi se me këtë projektligj, qeveria po vazhdon të mashtrojë shqiptarët.“Në vazhdën e akteve të paturpshme të saj, qeveria na ka sjellë këtu një projektligj me të cilin shpreson të vazhdojë të mashtrojë shqiptarët. Një projektligj me anë të të cilit kërkon t’ju tregojë shqiptarëve se sa shumë po sakrifikojnë këta zotërinj për qytetarët e këtij vendi.” u shpreh z. Paloka.Nga ana e tyre, anëtarët e mazhorancës vlerësuan se ky projektligj synon heqjen e abuzivizmit dhe privilegjeve për funksionarët e lartë të shtetit.Në fjalën e tij, Ministri i Financave, Shkëlqim Cani bëri të ditur se vlera që kursehet falë kësaj ndërhyrjeje është 165 milionë lekë ndërsa theksoi se ndryshimet në ligj ulin numrin e funksionarëve që përfitojnë bonuse për transport në 437 persona nga 624 persona që e përfitonin këtë privilegj më parë.Duke theksuar se këto ndryshime përputhen me filozofinë e kësaj qeverisjeje, Ministri i Financave bëri të ditur se do të ndërmarrën ndërhyrje të mëtejshme në shkurtimin e shpenzimeve të qeverisë, të cilat do të parashikohen në buxhetin e vitit 2014.“Një tjetër masë e ndërmarrë nga qeveria është ulja e personelit në institucione. Me këtë hap japim mesazhin për përgjegjshmërinë ndaj parasë publike. Ky mesazh do të vij çdo ditë nga qeveria e re” u shpreh Ministri i Financave, Cani.Në emër të Grupit Parlamentar të LSI, Kryetari i grupit, z. Petrit Vasili vlerësoi se projektligji vjen në frymën e racionalizimit të minimizimit të shpenzimeve të zyrtarëve publikë. “Projektligji vjen me një mesazh pozitiv pasi shembulli më i mirë që mund ta japin funksionarët e lartë publikë është pikërisht shkurtimi i shpenzimeve duke nisur nga vetja. Kjo nismë është në frymën e filozofisë së qeverisë” u shpreh z. Vasili.Pas diskutimeve dhe debateve të shumta si dhe shprehjes së qendrimit të të gjitha grupeve parlamentare, PR, PDIU, LSI, PD dhe PS, Kuvendi miratoi me shumicë votash projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.160, datë 15.10.2009 “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë”.