Harito në Francë: Të përkushtuar për një administratë të aftë dhe transparente
Në kuadër të vizitës së saj në Francë, Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito u takua me Ministren e Reformës Shtetërore, Decentralizimit dhe Administratës Publike të Francës, znj. Marylise Lebranchu.Gjatë takimit u diskutuan dhe u shkëmbyen opinione mbi tematikat lidhur me administratën publike. Znj. Lebranchu ndau me Ministren Harito eksperiencën e saj mbi shërbimin civil francez, si dhe e inkurajoi për krijimin e një administrate publike transparente dhe në shërbim të qytetarëve.Nga ana e saj, Ministrja Harito konfirmoi edhe njëherë zotimin e qeverisë shqiptare për një administratë të aftë, transparente, të përkushtuar dhe të orientuar nga rezultati.Në vijim të vizitës së saj në Francë, Ministrja e Shtetit për Inovacionin Milena Harito u prit në një takim nga Ministrja për Inovacionin dhe Ekonominë Numerike të Francës, znj. Fleur Pellerin, me të cilën shkëmbyen pikëpamjet mbi projektet në fushën e ekonomisë numerike.Ministrja Harito e njohu znj. Pellerin me projektin e qeverisë shqiptare, i cili do të marrë jetë shumë shpejt, për pajisjen e nxënësve të shkollave të mesme me tableta elektronike. Ministrja Fleur Pellerin shfaqi interes për këtë projekt duke u shprehur se është koha për investime në këtë drejtim, me qëllim favorizimin e mësimnxënies më të mirë falë teknologjive më të reja.Në takim, u diskutua edhe për rritjen e shërbimeve administrative nëpërmjet zhvillimit të infrastrukturës teknologjike, falë të cilave lufta kundër korrupsionit të bëhet më efikase. Ministrja Harito dhe ministrja Pellerin gjatë takimit u ndalën edhe në transparencën e të dhënave publike, ç’ka përbën një oportunitet për krijimin e shërbimeve të reja.