Meta përshëndet zgjedhjet: Të parat në të gjithë vendin dhe në përputhje me legjislacionin e Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta përshëndet zhvillimin e raundit të parë të zgjedhjeve vendore në Kosovë, si të parat zgjedhje që u zhvilluan në të gjithë territorin e vendit dhe në përputhje me legjislacionin e Kosovës. Zgjedhjet vendore shënojnë një hap shumë të rëndësishëm në forcimin e demokracisë së Kosovës dhe në avancimin e saj drejt perspektivës evropiane.Kryetari i Kuvendit përgëzon të gjithë qytetarët e Kosovës për pjesëmarrjen e gjerë dhe për shprehjen e vullnetit të tyre përmes votës së lirë, dhe vlerëson punën e të gjithë institucioneve në vend për organizimin dhe mundësimin e zgjedhjeve, kontributin e OSBE për lehtësimin e procesit zgjedhor në veri dhe Misionin Vëzhgues të Bashkimit Evropian për punën dhe raportimin e tyre paraprak.Ndërkaq Kryetari i Kuvendit dënon incidentet e dhunshme në veri të Mitrovicës që tentuan të cënonin mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.“Këto incidente të papranueshme nuk e ndryshojnë dot vullnetin e lirë të qytetarëve të Kosovës, dhe shkaktarët e tyre duhen çuar përpara organeve të drejtësisë” thekson Meta.Kryeparlamentari Meta rikonfirmon mbështetjen për thellimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe për zbatimin e plotë të pikave të Marrëveshjes së 19 Prillit ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.Zgjedhjet e 3 nëntorit në Kosovë u monitoruan nga 30 mijë vëzhgues, 250 prej tyre kanë qenë të organizatave ndërkombëtare. Vëzhguesit ndërkombëtarë do të monitorojnë edhe raundin e dytë të zgjedhjeve.