Papulias tre ditë në Shqipëri me ftesë të Nishanit, zbardhet axhenda
Presidenti grek, Karolos Papulias me ftesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, zhvillon një vizitë zyrtare 3-ditore në Shqipëri. Të dielën ai do të mbërrijë në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit “Nënë Tereza”, ndërsa të hënën do të nisë takimet me krerët më të lartë të vendit.Siç bën me dije Presidenca, fillimisht Presidenti Papulias do të pritet me një ceremoni zyrtare mirëseardhjeje në Institucionin e Presidentit të Republikës, nga kreu i shtetit Bujar Nishani.Pas ceremonisë, Presidentët Nishani dhe Papulias do të zhvillojnë një takim së bashku, i cili do të vijojë me bisedimet dypalëshe ku do të marrin pjesë delegacionet përkatëse të kryesuar prej tyre.Në përfundim të takimeve, Presidenti Nishani dhe Presidenti Papulias do të japin një konferencë të përbashkët shtypi.Më pas Nishani dhe homologu i tij Papulias do të jenë të pranishëm si dhe do të përshëndesin Tryezën e rrumbullakët mbi ekonominë dhe energjetikën greko-shqiptare, që do të zhvillohet në hotel “Rogner”, në 4 nëntor 2013.Ndërkaq sipas njoftimit të Presidencës greke të martën ai do të zhvendoset në Gjirokastër, ku do të vizitojë zonat ku jeton minoriteti grek në Shqipëri.Në shtypin grek kjo vizitë është cilësuar si lëvizja e duhur për të shkrirë akujt mes palëve.Pak kohë para se të lërë presidencën greke, Papulias pritet të japë mesazhe për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve fqinje. Greqia nga 1 janari do të marrë presidencën e BE, dhe Shqipëria shpreson që gjatë kësaj periudhe të ecë më shpejt në rrugën drejt integrimit.Mes dy vendeve ka pasur përplasje të shumta, duke filluar që nga ligji i luftës që ka shteti grek me Shqiperinë, çështja çame, kufijtë detare, si dhe çështja e toponimeve.Vizita e Papulias në Shqipëri, zhvillohet disa ditë pas asaj të ministrit të Jashtëm, Evangelos Venizelos.