PD thirrje Ministrit Tahiri: Të tregojë lidhjet me pronarin e vrarë të kazinove
Deputeti i PD-së Gent Strazimiri përmes një njoftimi për shtyp i kërkon ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri të tregojë lidhjet që ka me Elvis Doçin, pronar i një kazinoje i cili u ekzektua pak ditë më parë në Tiranë."Ngjarja është mbuluar me mister, por mbi të gjitha, me heshtjen fajtore të vetë Ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri. Meqenëse dje në Komisionin e Sigurisë, zoti Tahiri ka kërkuar në mënyrë të përsëritur “sugjerimet” dhe “bashkëpunimin” tonë, në mënyrë shumë bashkëpunuese po i sugjerojmë të sqarojë opinionin publik për një sërë pyetjesh që qëndrojnë si hije mbi kokën e tij: Zoti Tahiri, cila është lidhja që keni me viktimën Elvis Doçi i njohur si pronar lojrash fati ekzekutuar në mënyrë mafioze para pak ditësh në Tiranë? A ka lidhje vrasja e tij me operacionin e koduar “Fund Marrëzisë” aq të pompuar nga ju personalisht? Zoti Ministër i Brendshëm, a keni komunikuar me viktimën dhe personat që e shoqëronin vetëm pak përpara krimit? A jeni i gatshëm të autorizoni Prokurorinë të këqyrë tabulatet e telefonit tuaj? Ndiqni sugjerimet tona zoti Ministër, bashkëpunoni vullnetarisht me organet hetimore, sepse e vërteta do të dalë dhe bashkëpunimi do t’ju sillte lehtësira! Neni 48, pika “dh”, i Kodit Penal!” theksoi Strazimiri.