Fullani jep alarmin “sos”, ecuri e ulët ekonomike, nuk ka investime
Ecuria e ekonomisë do të vijojë të jetë e dobët edhe për muajt në vijim. Në raportimin mujor Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, deklaroi se rritja ekonomike ka qenë vetëm 1.1% në tremujorin e dytë dhe e tillë pritet të jetë dhe në tremujorin e tretë. Kjo sipas kreut të Bankës Qendrore ka ardhur pasi investimet dhe konsumi vazhdojnë të jenë të ulta."Ekonomia, e karakterizuar nga ritme të ulëta ekonomie, u ngadalësua me 1,1 përqind në tremujorin e dytë dhe ka qenë e dobët edhe në tremujorin e tretë me prirje ngadalësuese edhe në tremujorin e tretë: 1,5 për qind". Kreu i Bankës së Shqipërisë ka theksuar shkaqet si: konsumi dhe ecuria e dobët e privatit, pasiguria e agjentëve privatë mbi të ardhmen, që është reflektuar në gatishmëri të ulët për kredi bankare, si dhe politika konservatore e sistemit banker dhe niveli i ulët i kreditimit. Fullani theksoi se rritja ekonomike në tremujorin e dytë u mbështet nga kërkesa e sektorit publik, ndërsa sektorët e tjerë të dobët. Shpenzimet konsumatore nuk dhanë kontribut në ecurinë e vendit, i cili vijon të ndikohet nga pasiguria e lartë dhe mundësitë e dobëta të investimit. Investimet private kanë mbetur të ulëta prej politikës së kreditimit të bankave. Tipare stimuluese edhe në kahun e shpenzimeve dhe të ardhurave” tha ai.Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ndër të tjera deklaroi se ka vijuar rritja e shpenzimeve dhe nga ana tjetër janë ulur të ardhurat në krahasim me një vit më parë."Shpenzimet buxhetore janë rritur me 8,3%, të ardhurat kanë shënuar rënie vjetore prej 4%. Kjo ecuri e të ardhurave dhe shpenzimeve sjell deficit 1,25 herë më të lartë se vitin e kaluar, pjesa më e madhe e të cilit është përballuar me instrument financiar” theksoi Fullani.Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3.75 përqind. Inflacioni ndërkohë vijoi prirjet ngadalësuese, duke qenë mesatarisht 1.5% për 9 mujorin, i ndikuar nga reduktimi i çmimeve bujqësore."BSH në një spectrum 360 gradë, duke e vlerësuar situatën si të pavarur dhe me largpamësi vendos që sot për kushtet që janë, bazuar mbi kërkesën e brendshme, mendojmë se stimuli më i mirë është të qëndrojmë në këtë nivel. Jemi shumë afër bankës zero, dmth stimuli është dhënë dhe me shumicë. Duke dhënë politikën e së ardhmes, që do qëndrojmë në nivele të ulëta dhe kjo është më mirë për vendin"përfundoi Fullani.